Alvanitet e Parges
24 Gusht, 2009 · Printo kete artikull
Pika kufitare e Qafë-Botës ende nuk e meriton një emër të tillë. Disa kontejnerë dhe kioska të vendosur në fushë, tregojnë se këtu është kufiri i Shqipërisë me Greqinë. Qeveria e Tiranës ka ndarë 1.4 milionë euro për ndërtimin e godinës së doganës. Punimet tashmë kanë filluar dhe pritet që ato të përfundojnë në pranverë të vitit të ardhshëm. Në pjesën greke, pika kufitare quhet Sagiada (ose në shqip: Sajadha).
Godina e doganës dhe e policisë kufitare është moderne dhe e ndërtuar së fundi. Edhe rruga duket e re dhe të shpie në drejtim të Igumenicës (ose Gumenicës, siç është emri shqip i këtij qyteti tani grek). Gumenica është porta e Greqisë veriore dhe veriperëndimore ndaj botës. Në portin e këtij qyteti, për çdo ditë hedhin çengelin anije nga Ankona, Brindizi, Bari dhe Venecia. Gjatë verës këtu zbarkojnë disa milionë turistë nga Evropa Perëndimore, të cilët vazhdojnë rrugëtimin drejt rivierës greke. Jo pak nga këta turistë ndalen në Parga (Pargë), rreth 50 kilometra larg Gumenicës.
Qyteza e Pargës numëron jo më shumë se 2 500 banorë dhe gjendet në një gji idilik të Detit Jon, buzë maleve të Epirit. Nga çdo ciceron turistik përshkruhet si njëri ndër vendet më të bukura të Greqisë. Sidomos në muajin gusht, në Pargë pushojnë mijëra turistë nga Italia, Gjermania, Britania e Madhe, por edhe nga vendet e Ballkanit. Aty-këtu shihen autobusë me targa të Beogradit dhe qyteteve të tjera serbe, ndërsa maqedonasit kryesisht preferojnë të vijnë me veturë në Pargë.
Për dallim nga Saranda, në Pargë pothuaj asnjë ndërtesë nuk është më e lartë se tre kate. Fasadat e shtëpive janë të lyera me ngjyra të ndezura dhe i japin qytetit një hijeshi të veçantë. Në portin e vogël të Pargës, i cili shërben vetëm për anije turistësh, gjenden me dhjetëra taverna. Para tyre kamerierët i joshin turistët me menynë e begatshme. Kur nuk ka vend në tavernë, ata shpejt u ofrojnë turistëve nga një gotë uzo. Kërkohet pak durim. Derisa turistët zbrazin gotat, kamerierët gjejnë vendin për t’u ulur. Këtu, kafesë turke i thonë kafe greke. Përndryshe, pothuaj gjithçka që ofrohet është nga kuzhina ballkanike, veçse më mirë e përgatitur. Djathë feta, ullinj, musaka, mish qengji me patate, pite. Dhe mbi të gjitha, peshk dhe gjallesa të tjera deti.
Vend i ullinjve
Kamerierët e Pargës janë poliglotë. Njerëzit këtu jetojnë nga turizmi, prandaj mësimi i gjuhëve të huaja është domosdoshmëri. Gjuhën shqipe, ndërkaq, banorët e Pargës nuk kanë pse ta mësojnë. Atë e dinë të gjithë. “Shih, këta flasin shkip”, - thotë një kameriere, e cila duket se përnjëherë shënon porositë e të gjithë mysafirëve të lokalit. Pastaj afrohet pronari, një burrë rreth moshës 60-vjeçare. Pas tij vjen një vajzë e re, është nga Fieri. Punon këtu gjatë sezonit turistik. Bashkë me të atin, i cili fiton bukën si punëtor në plazhin Lichnos. Shumica e banorëve të Pargës janë arvanitë, domethënë vendas, autoktonë, shqiptarë, “alvanitë”, siç thonë. Kanë qëndruar këtu përkundër stuhive të historisë.
Për fat të keq, shumica janë asimiluar, deklarohen si grekë, por shqip flasin ende, sidomos gjenerata e mesme dhe e moshuar. “Edhe ne dhe ju - të gjithë jemi njerëz të mirë”,- thotë Konstantini, i cili me entuziazëm e gjeti një apartament për ditët më të bukura të vitit. Qyteti i Pargës ka tri plazhe të mrekullueshme. Lichnos, Valtos dhe plazhin pranë portit. Turistët që flenë shumë e kanë vështirë që pas orës 11:00 të gjejnë vend buzë detit. Parga është vend i ullinjve. Të gjitha kodrinat janë të mbuluara nga druri i ullirit. Mesatarisht, prej çdo rrënje parganjotët vjelin deri në 300 kilogramë ullinj.
Nëpër oborret e shtëpive dhe në kodrinat përreth, banorët vjelin edhe limona e portokaj. Falë zhvillimit të turizmit, shumë banorë të Pargës janë kthyer nga mërgimi, kryesisht nga Gjermania, ku kishin shkuar si punëtorë krahu në vitet ‘50-të dhe ‘60-të, kur Greqia ishte një vend i varfër. Ata në vendlindjen e tyre kanë hapur taverna dhe kanë ndërtuar shtëpi, të cilat i japin me qira gjatë sezonit turistik. Një shqiptar nga Mirdita, i cili punon si mbikëqyrës plazhi, tregon se ka ardhur këtu para 17 vjetësh, “atëherë kur pleqtë dhe plakat e Pargës më lehtë flisnin shqip se sa greqisht”.
Muzgu i bekuar
Në Mesjetë, Parga kishte një rëndësi të madhe strategjike. Për këtë qytezë interesoheshin oborret mbretërore të Stambollit, Venedikut, Parisit dhe Londrës. Në vitin 1401 Parga ra nën mbrojtjen e Venedikut. Më 1452 e pushtuan turqit, por dy vite me vonë u çlirua nga venedikasit. Në vitin 1537 u plaçkit dhe shkatërrua nga pirati osman Hajredin Barbarosa, i njohur si zotërues i deteve. Në lagjen “Beshiktash” të Stambollit, gjendet një përmendore në kujtim të tij. Në pjesën e pasme të monumentit janë të shënuara këto vargje të poetit turk Jahja Kemal Bajatli:
Nga po vjen gjëmimi i topave prej horizontit të detit?
A mos është Hajredini duke u kthyer me flotën e tij nga udhëtimi?
Nga ishujt? Nga Tunisi? Nga Algjeria?
Dyqind anije lundrojnë në det të hapur
Vijnë në drejtim të hënës që lind
Çfarë muzgu të bekuar mëngjesi jeni duke lënë prapa?
Nën mbrojtjen e Venedikut Parga u shndërrua në portin më të rëndësishëm të Epirit. Në vitet vijuese sundimtarët e Pargës u ndërruan disa herë. Në vitin 1819, Ali Pashë Tepelena vendosi ta blejë nga anglezët këtë qytet, i cili i krijonte telashe, sepse ishte territor i administruar nga të huajt në Pashallëkun e Janinës. Thuhet se pashai i ashpër kishte paguar 150 mijë lira. Thuhet po ashtu se anglezët ia shitën Pargën Ali Pashës për të dobësuar ndikimin rus në rajon. Mbi qytetin e Pargës, rreth katër kilometra larg qendrës, turistët mund të shikojnë edhe sot kalanë e Ali Pashës. Ajo vazhdon të jetë një atraksion jo vetëm për turistë.
Gjuha shqipe nuk flitet vetëm në Pargë. Shumica e banorëve të fshatrave Agjia, Rrapëza, Shëndiella, Shenica, Livadhari, Arpica etj., gjuhën shqipe e kanë gjuhë amtare. Toponimet e këtyre katundeve janë greqizuar. Banorët shqiptarë të këtyre zonave, sidomos ata të përkatësisë fetare myslimane, janë dëbuar sistematikisht nga Greqia, pasi u caktuan kufijtë e rrudhur të Shqipërisë në Londër, në vitin 1913. Pas miratimit të Marrëveshjes së Lausanne-s (Lozanës) në vitin 1923, përzënia e shqiptarëve nga Greqia u intensifikua. Marrëveshja parashihte shkëmbimin e popullsive mes Turqisë dhe Greqisë. Domethënë grekët duhej të largoheshin nga Turqia, ndërsa pakicat myslimane në Greqi qenë të detyruara të gjenin strehim në Turqi.
Llojet e shqiptarëve
Me një dekret, Greqia përvetësoi pronat e shqiptarëve myslimanë dhe jozyrtarisht i trajtoi si popullsi shkëmbyese, ashtu siç e parashihte Marrëveshja e Lausanne-s për turqit e Greqisë. Kryeministri i atëhershëm grek, Theodors Pangalos, i kishte premtuar ambasadorit shqiptar në Athinë, Mit’hat Frashëri se popullsia arvanite dhe çame nuk do të prekej nga Marrëveshja e Lausanne-s dhe shqiptarët myslimanë nuk do të quheshin popullsi turke. Ky ishte një premtim bosh, sepse edhe në vitet në vijim vazhdoi shpronësimi i çamëve. Ministri i atëhershëm i punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, George N. Curzon, e kishte quajtur Marrëveshjen e Lausanne-s “një zgjidhje fund e krye të keqe dhe qëllimkeqe, për të cilën bota, gjatë njëqind vjetëve të ardhshme do të paguajë një tagër të lartë”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, një pjesë e popullsisë çame bashkëpunoi me pushtuesit gjermanë të Greqisë. Pas kapitullimit të gjermanëve, shteti grek i dënoi çamët kolektivisht, duke i dëbuar nga shtëpitë dhe duke ua marrë pronat shumicës së tyre.
Historiani i Evropës Juglindore, Konrad Clewing, i ndan shqiptarët e Greqisë në tri grupe. Në grupin e parë ai i numëron arvanitët, të cilët nga shekulli 13-të deri në shekullin e 15-të, me ftesë të sundimtarëve lokalë u vendosën në më shumë se 300 vendbanime në Greqinë Jugore, siç janë Atika (rrethina e Athinës), ishujt e Egjeut (p.sh. Hidra) dhe në Peloponez. Banorët e këtyre zonave e quanin veten arbërorë, ndërsa gjuhën që flisnin - arbërisht. Me kalimin e shekujve ata kanë përvetësuar emërtimin grek arvanitka. Sipas Clewing-ut, numri i arvanitëve në Greqi, bazuar në kriterin e përdorimit të gjuhës dhe të vetëdijes, vlerësohet të jetë mes 150 mijë deri në 200 mijë. Derisa arvanitët e moshuar ende flasin gjuhën amtare, te të rinjtë dominon tendenca e njëgjuhësisë, domethënë ata flasin vetëm greqisht. Asimilimi gjuhësor i arvanitëve është intensifikuar sidomos me urbanizimin e Greqisë. Në qytete ata i janë përshtatur shumicës greke.
Grupin e dytë të shqipfolësve në Greqi e përbëjnë banorët e disa lokaliteteve në zonën kufitare greko-bullgaro-turke. Clewing shkruan se këta shqiptarë janë pjesë e mbetur pas shkëmbimit të popullsive mes Greqisë dhe Turqisë në vitet 1922/’23, pra në prag dhe pas Marrëveshjes së Lausanne-s. Në grupin e tretë të shqipfolësve në Greqi hyjnë çamët (greqisht: tsamides), të cilët jetojnë në veri të Epirit, në kufi me Shqipërinë.
Tirana pasive
Në një artikull për shqiptarët e Greqisë, profesori Clewing shkruan: “Ndryshe nga dy grupet e tjera, çamët historikisht dhe gjuhësisht janë pjesë e hapësirës së përbashkët gjuhësore shqiptare dhe kanë vetëdije etnike shqiptare. Gjuhën e tyre ata e quajnë si në Shqipëri, pra, shqipja. Kur pas përcaktimit të kufijve, në vitin 1913, u krijua një pakicë (shqiptare, v.j.) gjysma myslimane dhe gjysma e krishterë ortodokse, pjesa myslimane zyrtarisht u përjashtua nga shkëmbimi i popullsisë mes Greqisë dhe Turqisë, por për hir të së vërtetës, pakica myslimane u diskriminua. Si pasojë e gjoja bashkëpunimit me trupat pushtuese italiane dhe gjermane dhe me administratën civile shqiptare të instaluar prej tyre në Luftën e Dytë Botërore, shqiptarët myslimanë të mbetur atje, rreth 20 mijë, në vitin 1944 u dëbuan kolektivisht në Shqipëri nga ana e trupave greke.
Çamët e krishterë dhe të mbetur sipas interpretimit grek nuk ekzistojnë. Ata janë hulumtuar pak, por duket që ende kanë një vetëdije të veçantë dhe gjuhën e tyre dhe i nënshtrohen presionit të dukshëm zyrtar. Por, ata nuk artikulohen publikisht. Në përgjithësi, shteti grek nuk i ka stimuluar grupet shqipfolëse të popullsisë ose ka pranuar vetëm veçorinë e tyre kulturore. Në disa vendbanime myslimane çame, në vitet 1936-‘39, me gjysmë zemre u bënë përpjekje për të ofruar mësim në gjuhën amtare. Deri më sot, Greqia me politikën e saj të gabuar ndaj pakicave, nuk ndikon në mirëkuptimin ndërkufitar në Evropën Juglindore”.
Për Greqinë zyrtare çështja çame nuk ekziston. Në nëntor të vitit 2005, Presidenti grek, Karolos Papoulias, kishte anuluar takimin e tij me Kryetarin e Shqipërisë, Alfred Moisiu, i cili ishte paraparë të mbahej në një hotel në Sarandë. Shkas për këtë veprim kishte qenë paralajmërimi i një proteste nga ana e komunitetit çam. Ata kërkonin që çamëve t’u kompensohej prona e konfiskuar nga shteti grek gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore dhe t’u kthehej shtetësia greke. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, politika shqiptare ka qenë e rezervuar sa i përket aktualizimit të çështjes çame. Ky pasivitet është i shpjegueshëm: Në Greqi punojnë mbi gjysmë milioni shqiptarë, të cilët mbajnë familjet e tyre në Shqipëri dhe janë një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë ende të dobët shqiptare. Po ashtu, nuk duhet të nënçmohet ndikimi i Greqisë në Bashkimin Evropian. Të gjitha këto i kanë shtyrë qeveritë shqiptare të jenë të kujdesshme në këtë çështje.
Nga: Enver Robelli






Personalisht, Banoj ne Bruksel dhe kam dy kolegë pune njëri nga Gumenica (Igoumenitsa) dhe tjetrin nga Janina (Ioannina). Një dit po kalonte një vajzë në rrugë dhe që mos ti kuptonte flisnin në greqisht. Në një moent perdorën fjalen “qika” për vjazën. Un u befasova sepse si shqiptarë ne e degjojme kët dialekt vetëm nga Kosovarët, dhe i pyeta nga e dinëkët fjalë. Ata mu përgjigjën se është fjale greke e përorur në zonat e tyre. Pasi vura buzën në gaz, u shpjegova se ështe dialekt i vjetër shqiptar. Sigurisht që ata më kontradiktuan, sipas zakonit që kan grekët të mohon gjith çfarë është shqiptare.
Pra, vetëm fakti që fjala e vjetër përdoret akoma, sikur shum fjale të tera në at krahinë tregon se sa grek janë njerëzit e asaj zone.
Ky ishte vetëm një konfirmim tepër realist dhe origjinal i artikullit të mësipërm.
Pergjigju