Loading...
Kliko ketu per video te tjera

Berati dhe Gjirokastra, se bashku ne UNESKO

24 Qershor, 2008 · Printo kete artikull

Berati është përfshirë në të njëjtën kërkesë me Gjirokastrën, si dy qytete mjaft të ngjashme, për të fituar statusin pasuri e trashëgimisë kulturore botërore të UNESKO-s.

Megjithëse qyteti muze në Jug të vendit, Gjirokastra, e ka fituar këtë status në vitin 2005, specialistët e UNESKO-s kanë rekomanduar që Berati së bashku me Gjirokastrën të paraqiten në një kërkesë të vetme, në cilësinë qendrave çifte, një emërtim që ekziston në këtë organizëm. Pak ditë përpara mbledhjes së komisionit të UNESKO-s në Kanada, në fillim të muajit korrik, ku pritet dhe shqyrtimi i dosjes në fjalë, profesor Emin Riza, kryetar i komisionit për hartimin e dokumentacionit të Beratit, shpjegon për ATSH-në se “puna për shpalljen e Beratit pasuri e UNESKO-s filloi menjëherë pasi Gjirokastra fitoi këtë status”. “Dosja u dërgua në kohën e caktuar, para 1 viti, dhe plotësimi i saj u vlerësua i saktë, por nuk përmbushte plotësisht kërkesat për t’u konsideruar si pasuri unikale me rëndësi të jashtëzakonshme, pasi sipas specialistëve të UNESKO-s, vlerat e Beratit janë të njëjta me ato të qytetit të Gjirokastrës. Kësisoj na u rekomandua nga komisioni përkatës i UNESKO-s që Berati të paraqitet në një kërkesë të vetme me Gjirokastrën, si qendra çifte”, - shpjegoi profesor Riza.

Për një vizitor të thjeshtë, Berati dhe Gjirokastra ndoshta duken si dy qytete krejt të ndryshme, por në thelb, vijoi ai, nuk është kështu, pasi ka shumë gjëra esenciale që janë të përbashkëta në këto dy qytete.

Mbas sugjerimit të UNESKO-s, pala shqiptare hartoi një dosje pothuajse të re për Beratin dhe Gjirokastrën, dosje kjo e dorëzuar në janar dhe është konsideruar e rregullt.

Faza përfundimtare, - bëri të ditur profesor Riza, - ku do të shpallet apo jo Berati Pasuri e Trashëgimisë Kulturore Botërore, është në fillim të muajit korrik, ku shpresojmë që të shpallet si i tillë nga komisioni i UNESCO-s, në Kanada. Nëse Berati nuk e fiton statusin pasuri e UNESKO-s, Gjirokastra do të mbetet në këtë listë, përfundoi profesor Riza.

Tell a Friend

Komente

Ju pelqeu? Perse nuk shkruan dicka?