Destinacioni: Durres
24 Qershor, 2008 · Printo kete artikull
Nëse mendojmë se e njohim Shqipërinë mjaftueshëm, për të mos gjetur më surpriza kudo që të shkojmë, atëherë e kemi gabim. Kjo jo vetëm, sipas Ministrisë së Kulturës dhe disa agjencive turistike, të specializuara, jo për avionë charter a udhëtime “të paharrueshme” jashtë vendit, por këtu, në rivierën tonë, në plazhet e Adriatikut, e për ata që këtë vit duan të ndryshojnë mënyrën e të pushuarit, pak më në brendësi, në një udhëtim frymëmbërthyes arkeologjik, kulturor a malor në trevat shqiptare.
Durrësi 3000-vjeçar edhe këtë sezon turistik ka çfarë t’u ofrojë mijëra turistëve nga vendi dhe rajoni që kanë nisur prenotimet e tyre në hotelet, fshatrat turistike dhe vilat buzë detit. Objektet e shumta muzeale, rregulli dhe pastërtia e ofruar nga institucionet e shtetit përgjegjëse për sezonin e ri turistik 2008, masat e marra duket se janë një ogur i mirë jo vetëm për të ardhurat e bashkisë dhe komunave të zonave bregdetare, por edhe vetë biznesit durrsak e më gjerë.
Durrësi, destinacioni kryesor i bregdetit shqiptar
Qyteti i Durrësit prezantohet si një nga qytetet kryesore të vendit që thith fluksin më të madh turistik në vend. Me një bregdet me një gjatësi prej 68 km nga Përroi i Agait deri në derdhje të lumit Ishëm (ku vetëm 11 km janë të shfrytëzueshme), Durrësi thith një fluks prej rreth 200 mijë pushuesish. Zona më e frekuentuar turistike evidentohet ajo e plazhit të madh të Durrësit, ku është dhe përqendrimi kryesor i pushuesve të ardhur kryesisht nga Kosova, Maqedonia, nga rrethet e vendit, por dhe turistë të huaj numri i të cilëve ka ardhur në rritje. Plazhi i madh i Durrësit ka një gjatësi prej 6 km dhe një gjerësi të madhe të rërës. Thellësia e ujërave të detit rritet gradualisht, fakt i cili e bën këtë plazh mjaft të përshtatshëm për pushimet e familjarëve dhe të fëmijëve, në një kohë që pozicioni që zë gjiri i Durrësit e bën të mbrojtur nga erëra. Në këtë zonë turistike gjendet dhe koncetrimi më i madh i lehtësirave turistike si hotele, motele, komplekse vilash, bare, restorante disko, bouling, salla fitnesi, lojrash etj. Në veri të Durrësit rrëzë kodrave të tij gjendet dhe plazhi i Currilave, ku ujërat e detit janë të thella dhe ku plazhi shkëmbor është i mbrojtur mirë nga erërat që vijnë nga toka, në një kohë që ofrohen dhe sporte detare si vozitje, sporte ujore etj. Një fakt tjetër për turizmin në Durrës është se në qytet gjenden objekte mjaft të rëndësishme të cilat përbëjnë potenciale mjaft të favorshme për turizmin kulturor, siç janë Amfiteatri i Durrësit, Forumi Bizantin, Muzeu Arkeologjik ku janë të paraqitura periudhat greke dhe romake, torra Veneziane, Xhamia Fatih, Monumenti i Rezistencës, i cili i dedikohet luftës së armatosur kundër pushtimit fashist nga Italia në 7 Prill 1939, Muzeu Etnografik etj., në një kohë që qyteti nëpërmjet portit lidhet me tragete me qytetet italiane të Barit, Ankonës dhe Triestes. Ofertat turistike 2008, duket se janë joshëse për pushuesit vendas dhe të huaj. Ajo që është premtuese për zhvillimin e turizmit në Durrës është fakti se numri i pushuesve në këtë qytet ka ardhur në rritje. Kjo ka ardhur për shkak të investimeve që janë kryer vitet e fundit në plazhin e Durrësit në drejtim të infrastrukturës me ndërtimin e rrugës së plazhit, shëtitores me parametra evropianë, përmirësimit të shërbimit, nivelit të lartë të pastërtisë dhe higjienës.
Çmimet
Sipas deklarimeve të kryetarit të baskisë, Vangjush Dako, bërë për “standard” “kushtet gjatë këtij sezoni turistik janë shumë më të mira se sezoni i kaluar, në një kohë që është zgjidhur dhe një problem evident që ka qenë në sezonin e kaluar, ai i raportit në mes të plazheve publike dhe atyre private, për të rritur cilësinë e shërbimit dhe akomodimit ndaj pushuesve, janë organizuar dhe një varg aktivitetesh promovuese, koncerte, spektakle në mënyrë që të krijohen kushte sa më cilësore për kalimin e kohës së lirë. Aktualisht Durrësi ofron një sistem hotelerie të një niveli shumë të mirë dhe çmimet që ofrojnë hotelet janë të pranueshme dhe të leverdishme. Një pjesë e mirë e hoteleve më prestigjioze në Durrës prezantojnë online çmimet që ofrojnë për pushuesit”. Duke parë online çmimet e hoteleve në Durrës rezulton se hoteli me 5 yje “Adriatiku” në plazhin e Durrësit ofron çmimin prej 47 euro për krevat në një kohë që në një dhomë me 2 veta çmimi është 47 euro për krevat, hotel “Nais” me 3 yje ofron çmimin prej 20 euro për krevat në një dhomë me 2 veta dhe 30 euro në një dhomë teke, hotel “Arvi” ofron çmimin 30 euro për një dhomë me 2 persona dhe 60 euro për një dhomë teke, hotel “Belvedere” ofron çmimin prej 19 euro për një dhomë me 2 veta dhe 30 euro në një dhomë teke, hotel “Ani” ofron çmimin prej 25 euro për një dhomë me 2 persona dhe 40 euro për një dhomë teke, hotel “Tropikal” ofron çmimin prej 30 euro për një dhomë me 2 persona dhe 60 euro për një dhomë teke, hotel “Benilva” ofron cmimin prej 20 euro për një dhomë dyshe dhe 30 euro për një dhomë teke. Për sa u përket çmimeve që ofrojnë banesat private në plazhin e Durrësit të cilat mendohet se thithin dhe rreth 45% të fluksit turistik çmimet variojnë nga 5 euro krevati deri në 10 euro. Gjithsesi sezoni turistik 2008, duket se ofron një risi në aspektin e zhvillimit të kësaj dege kaq fitimprurëse, leverdinë e të cilës deri para viteve ‘90 shqiptarët nuk e njihnin fare.
Por nëse jeni të “tejngopur” me bregdetin durrsak, atëherë le të flasim për të gjitha ato mrekulli natyrore ose të krijuara nga dora e njeriut që Durrësi ofron.
Amfiteatri antik, më i vjetri në Ballkan
Amfiteatri i Durrësit është zbuluar në vitin 1966. Të dhënat më të rëndësishme për ekzistencën e amfiteatrit i ka dhënë historiografi i shquar shqiptar Marin Barleti në shek. XVI, i cili shkruan se në Durrës “ndodhet një arenë ose amfiteatër, i ndërtuar me zgjuarsi dhe mjeshtëri të admirueshme”. Amfiteatri është zbuluar nga Vangjel Toçi. Më vonë, aty kanë zhvilluar ekspedita edhe arkeologët Lida Miraj dhe Afrim Hoti. Në fund të viteve 1960 për zbulimin e amfiteatrit janë zhvendosur 50 familje dhe janë prishur 33 banesa private. Ekspeditat intensive janë zhvilluar në vitet 1967-1970. Amfiteatri i Durrësit ka arkitekturë romake dhe është ndërtuar në fund të shek. I p.K., në periudhën e perandorit Hadrian. Amfiteatri ndodhet në qendër të qytetit dhe 350 metra larg detit në drejtimin jugor. Ndërtimi i tij fillon në rrafshin e arenës në kuotën 5.50 metra mbi nivelin e detit. Dy të tretat e tij mbështeten në kodër. Boshti i madh i amfiteatrit është 127 metra, ndërsa boshti i vogël 103 metra. Përmasat e arenës me formë ovale janë përkatësisht 63 dhe 39 metra. Galeritë e amfiteatrit janë shfrytëzuar disa herë si vende ekspozitash arkeologjike, ndërsa në vitin 2004 janë organizuar disa spektakle artistike. Rrënimi i amfiteatrit ka nisur në shekullin V, kohë në të cilën perandorët tashmë të krishterë i ndaluan ndeshjet vdekjeprurëse të gladiatorëve.
Rrethrrotullimi Bizantin
Ndërtuar në kohën e Perandor Anastasit I (491-518), me origjinë nga familjet senatoriale të Dyrrahut, ndërtuar me material tulla e llaç, ndërtim karakteristik i kësaj periudhe, ku shënohen mbi tulla dhe vula të këtij perandori, si dhe të punishteve shtetërore, ergasterive. Bëhej rrethimi i qytetit me kurorë të trefishtë, gjatësi lineare 3,5 km, lartësi muresh 12 m, siç vinte në dukje historiania bizantine A. Komnena, sa për të kaluar brinjas njëri-tjetrit katër kalorës. Edhe perandori tjetër me origjinë ilire, Justiniani (527-565) ndërmori vepra me karakter mbrojtës, siç njihet Portëza ose Porto Romano, në veri të qytetit.
Forumi Rrethor
Ai ndodhet prapa Pallatit të Kulturës “A. Moisiu”, fundi i shek. V pas Krishtit. Së bashku me Termat publike të periudhës romake poshtë themeleve të Pallatit të Kulturës, krijon një ansambël, një “ishull arkeologjik” në qendër të qytetit. Forumi ka qenë i ndërtuar në formën e një portiku rrethor, në mesin e të cilit, gjendet një pjesë më e ngritur. Vetë “Rotonda” me diametër 40 metra është e shtruar pjesë-pjesë me pllaka. Bazilika e Arapajt, trikonkë, shek. VI mbas K., përmasa 69 x 28 m, një nga bazilikat e mëdha të vendit, me tre nefe, atrium e kuadriportik. Ndodhet 6 km në lindje të qytetit, në zonën turistike të Plazhit, në fshatin Arapaj.
Torra veneciane
Një ndërtim karakteristik i shek. XV, kullë e rrumbullakët, ndërtuar me blloqe guri gëlqeror, ku ndërfuten dhe pjesë arkitektonike të periudhave të mëparshme, siç është blloku i gurit gëlqeror me figurën e Hermesit, në funksionin e mbrojtësve të tregtarëve. Po e kësaj periudhe është dhe Kështjella e Sipërme, edhe këtu një kullë e rrumbullakët. Ajo ka një diametër prej 16 metra dhe lartësi 9.1 metër.
Muri turk
Ai është ndërtuar nga pushtuesit turq, duke e kthyer qytetin, pas vitit 1501, në garnizon ushtarak. Përgjatë këtij muri ndërtohet dhe Kulla me Sahat, dhe në brendësi të Lagjes Kala, ndërtohet Hamami Mesjetar dhe jashtë tij, në lagjen “Varosh”, Pusi i Tophanes.
Termat
Në afërsi të teatrit “Aleksandër Moisiu” ndodhen edhe termat e periudhës romake. Nga pjesa e tyre e ruajtur mund të dallohet “caldarium” (salla me ujë të nxehtë) dhe “piscina”, e cila është e shtruar me pllaka mermeri të zi dhe të bardhë të kombinuara në formë gurësh shahu. Termat, kanë pasur edhe ambiente të tjera: apodyterium (salla e zhveshjes), tepidarium (salla me ujë të vakët), frigidarium (salla me ujë të ftohtë).
Pusi i Tophanesë
Ndodhet pranë rrugës “Aleksandër Goga”, pas godinës së Prokurorisë së Rrethit, 200 metra larg qendrës së qytetit. Është restauruar nga Atelieja e Monumenteve në vitin 2005. Monumenti mesjetar, i cili për disa shekuj me radhë kishte shërbyer si burim uji për lagjet qendrore të Durrësit, dallohet për kolonat dhe pjesët e pusit, që janë rivendosur në hapësirën prej 25 metra katrore. Sipas historianëve, pusi mesjetar i ka shërbyer më parë një punishteje për prodhimin e barutit, çka i dha emrin “Tophane”.
Xhamia ‘Fatih’
Xhamia është ndërtuar në rrënojat e një bazilike mesjetare të krishterë, e cila përbëhet nga salla e lutjeve, me një plan drejtkëndësh, e mbuluar me çati druri, që ndjek në përgjithësi linjat e mureve anësore të bazilikës. Portiku dhe minarja datojnë të një periudhe më të vonë. Xhamia “Fatih” nga banorët quhet ndryshe edhe “Xhamia e vogël”. Mendohet të jetë ndërtuar në vitet 1502-1503, si një nga ndërtimet e para pas pushtimit osman. Duke qenë i lehtë nga pikëpamja e ndërtimit, ky tip ishte i mundshëm për ndërtesat e cilësdo qendër qyteti apo fshati.
Shtëpia-muze “Aleksandër Moisiu”
Shtëpia e Aleksandër Moisiut është përuruar si shtëpi-muze në shtator 1982. Këtu ka kaluar fëmijërinë e tij aktori me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu, në vitet 1884-1889, ku ka kryer dhe vitet e shkollës fillore. Në dy dhoma, shpalosen në stenda biografia e tij familjare dhe artistike, bazuar në dokumente autentike, kurse në dhomën e dytë paraqiten vepra arti të krijuesve vendas për figurën e aktorit të madh. Muzeu etnografik është hapur në vitin 1982 në ambientet e shtëpisë karakteristike durrsake të shek. 19, aty ku ndodhet shtëpia-muze e Aleksandër Moisiut. Janë ekspozuar objekte origjinale të mjeshtërisë artizanale të banorëve të Durrësit e të rrethinave të tij. Përmban koleksion të pasur të veshjeve popullore të trevës etnografike të kësaj zone të Shqipërisë së Mesme, si dhe punime artizanale në material leshi, mëndafshi, pambuku, briri, bakri e guri. Në rrethin e Durrësit përfshihet një pjesë e krahinës së madhe etnografike të Shqipërisë së Mesme. Në Durrës ka kosovarë dhe çamë të shpërngulur që kanë ruajtur tradita të veçanta etnografike e folklorike.
Muzeu Arkeologjik
Muzeu Arkeologjik ndodhet përballë shëtitores kryesore të qytetit, e cila mban emrin “Taulantia” dhe është përuruar më 13 prill 2002. Muzeu i ri ka rreth 2000 objekte të ekspozuara dhe të klasifikuara sipas kronologjisë së zhvillimit të qytetit që nga periudha arkaike deri në mesjetën e hershme. Nëntoka e Durrësit, duke qenë se qyteti aktual është i ngritur tërësisht mbi të vjetrin, është një burim i vazhdueshëm zbulimesh të reja dhe për këtë arsye është shpallur muze dhe mbrohet me ligj të veçantë. Durrësi mund të krahasohet me qytetet më të mëdha të Mesdheut antik dhe Mesdhetar. Qyteti Epidamn, Dyrrah, u ndërtua nga ilirët taulantë, dallëndyshasit në shekuj XIII-XI p.K. Banorët e parë të Dyrrahut, para ilirëve të quajtur protoilirë, pellazgë, ngritën në rrethinat e këtij qyteti vendbanimet e para prehistorike. Në kushtet e një klime mesdhetare, zona më e përshtatshme për banim ishte ajo e lumit Erzen (Ululeus) si dhe Ultësira Perëndimore përreth saj. Në bregdetin e Gjirit të Durrësit u vendos qendra e parë apo limani më emrin Dyrrah. Sipas autorëve antikë, ky qytet u themelua nga dy mbretër me origjinë ilire të quajtur Dyrrah dhe Epidamn. Mbreti Epidamn ndërtoi pjesën e fortifikuar të qytetit ne juglindje të malit të Durrësit, kurse nipi i tij Dyrrah, ndërtoi portin që për shumë e shumë shekuj mban emrin e tij. Nga këto dy emra mbijetoi deri në ditët tona, emri Dyrrah-Durrësi, për vetë rolin e tij si liman-port. Emri i vërtetë i mbretit vendas Dyrrah identifikohej dhe me konfiguracionin gadishullor të relievit, duke shprehur qenien e dy shpateve (dy rrahe), që duken kur hyn në Gjirin e Durrësit.
Mozaiku i Bukuroshes së Durrësit
Mozaiku i zbuluar në vitin 1916, ka marrë emrin nga përmbajtja e tij. Vepra i përket shekullit IV para Krishtit dhe ka formën e një elipsi. Mozaiku është punuar me gurë lumorë shumëngjyrësh. Në qendër të dekoracionit është portreti i një gruaje, ndoshta Aura shoqëruese e Artemidës, e cila qarkohet nga një dekoracion i pasur lulesh. Mozaiku është i ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar, në Tiranë. Mozaiku i Hipokampit. Ky mozaik është zbuluar në themelet e një banese. Ai është i punuar me teknikën bardhë e zi dhe paraqet 4 skena me motive nga mitologjia, të punuar me kubikë të zinj në sfond të bardhë. Mozaiku i Orfeut. Ky mozaik është zbuluar vetëm pjesërisht në vitin 1988, në bodrumin e një shtëpie. Gërmimet arkeologjike kanë nxjerrë në pah vetëm një pjesë të kësaj vepre që paraqet figurën e Orfeut, rrethuar me motive bimore dhe gjeometrike. Ky është vlerësuar si një vepër me vlera të rralla për nga pasuria e figurave dhe realizimi i tij. Mozaiku i përket shekullit II pas Krishtit.
Mozaiku tek pallatit i sportit
Mozaiku është zbuluar në vitin 1968, gjatë punimeve për ndërtimin e pallatit të sportit “Ramazan Njala”. Ky mozaik u përket shek. III-IV pas Krishtit. Në të janë paraqitur motive të ndryshme si gjethet e akanthit, luspat e peshkut, gërsheti, etj.
Nga: Artur Ajazi / Gazeta Standart






Komente
Ju pelqeu? Perse nuk shkruan dicka?