Dokumentari: Ke do cudise “Land of Eagles”?
10 Gusht, 2008 · Printo kete artikull
Udhëtimi i Edit Durhamit duket se nuk ka qenë një ekzotizëm turistik, por në ditët e sotme për Shqipërinë kjo shpjegohet si e tillë. Në kushte krejt të tjera social-politike, dy udhëtarët e rinj anglezë Robin Hanbury dhe bashkëshortja e tij, Louella, erdhën në Shqipëri në mënyrë krejt të veçantë, duke mos e parë këtë thjesht si aventurë.
Ata përshkruan vendin tonë nga veriu në jug me kuaj, ndërsa kjo kishte një arsye për ta përjetuar si romantikët e vjetër të Evropës. Mbresat e tyre dhe përjetimet edhe pse nuk kanë marrë formën e plotë të një libri, destinacioni është i tillë, ku imazhet nga Shqipëria do të vendosen në një projekt dokumentari. “Albania, land of Eagles” (Shqipëria, vendi i Shqiponjave) është titulli që regjisori Mickey Grant ka zgjedhur për të prezantuar eksperiencën e “zbulimit” të Shqipërisë.
Meqenëse rruga e tyre paraqiste një udhëtim të veçantë, dy anglezët eksplorues u janë shmangur rrugëve të mbushura me makina, dhe qyteteve të betonizuara egërsisht nga ndërtimet e reja dhe në paradoks hoteleve që tregojnë kushte luksoze.
Udhëtimi i tyre shkoi përmes maleve, duke hyrë dhe në komunitete të paprekura që nga shekulli XXI.
Nga Thethi, gryka e Valbonës, Kukësi i vjetër, Parkut Kombëtar i Lurës, Librazhdi, Voskopoja, Tepelena deri në Glinë. Ndërsa hasnin në mbresat e shqiptarëve, çifti anglez përveç njohjes me njerëzit, kanë mbajtur shënime për traditat, historinë duke i hedhur në një libër. Çifti anglez e nisi këtë udhëtim qysh në shtator të vitit të kaluar, duke e cilësuar këtë vend të harruar në Evropë, për shkak të regjimit komunist për 40 vite. Paradoksi i mbresave të tyre nuk i ngjante udhëtimit të dikurshëm të Edit Durhamit, duke mos pritur të shihnin kalanë e Ali Pashës. Thjesht ata kërkonin të ndjenin bukurinë e natyrës shqiptare. Robin bashkë me të shoqen, Louella, para se të vinin në Shqipëri kishin lexuar material të bollshëm mbi Shqipërinë, e sidomos mbi dy personazhet e njohura për ne, Edit Durhamin dhe dy romantikët londinezë, Lord Bajronin dhe piktorin Eduard Lear.
Ndërsa çifti anglez synimin e kishin vetëm tek natyra, ky është dhe qëllimi i shkrimit të librit ku tregojnë se duan t’u shfaqin njerëzve, t’i sensibilizojnë ata për vlerat e natyrës, në këtë rast që ka vendi ynë. I parë si udhëtim aventurë, mungesa e urbanizimit në zonat më të thella e ka shtyrë çiftin të bëjë eksplorim ekzotik, duke parë nga afër dhe përjetuar gjithçka. Për një vit, turi i tyre ka njohur dhe sakrifica, duke fjetur aty ku i zinte nata.
Gjithçka të hedhur në dorëshkrim, udhëtimi ka përfunduar dhe çifti anglez pret gushtin e ardhshëm ta promovojë librin. Vendi i shqiponjave, vendi i harruar i Evropës Juglindore, libri pritet të ngjallë interes për të huaj për t’i shtyrë në një vizitë ekzotike në Shqipëri.
Por udhëtimi i tyre, përpos pasqyrimit në libër, është shoqëruar edhe nga regjisori Mickey Grant, një regjisor i njohur në produksionin e fundit “Injection”, që ka ndikuar në lirimin e infermiereve bullgare nga Libia. Çdo gjë që kanë shkruar udhëtarët anglezë është fokusuar edhe nga kamera e regjisorit Grant. Një film që është kurorëzuar në një dokumentar të titulluar “Albania, Land of Eagles”. Deri tani filmi me emrin e shqiponjës, si simbol i vendit tonë, ka bërë xhirot e premierës në disa festivale filmash dokumentarë, si në “Mipdoc”, në Kanë. Me një kolonë zanore shqiptare, regjisori do ta kryejë përfundimisht këtë produksion, në vjeshtë të këtij viti, dhe për t’u paraqitur si premierë në gushtin e ardhshëm së bashku me librin.
Udhëtime të kësaj natyre dy anglezët kanë organizuar dhe në shtete të tjera, si në Francë, kanë ecur në itinerarin e Murit Kinez, Zelandës së Re, si dhe në Spanjë ku me të njëjtën mënyrë si dhe në Shqipëri mbresat e tyre i kanë hedhur në botime.
Ende pa dalë libri në treg, udhëtimi i dy anglezëve ka gjasa të tërheqë vëmendjen mbi Shqipërinë. Në website-n e hapur enkas për të reklamuar udhëtimin e tyre, çifti anglez ka impresionuar shumë njerëz, duke veçuar ndër to komedianin Michael Palnio, i cili ka shkruar se i admiron për udhëtimet e tyre. Duke e konsideruar vendin tonë si një nga vendet më misterioze të Evropës, komediani anglez, shkruan me mahni për udhëtimin me kuaj të dy anglezëve, duke e konsideruar këtë si një mundësi për të parë steriotipat e një vendi si Shqipëri, që i është dukur me bukuri unike dhe sidomos me befasitë e traditës. Dy anglezët përpos një udhëtimi interesant, janë mbarsur emocionalisht, duke folur me një pasion plot dashuri për vendet më interesante ku kanë kaluar, për njerëzit që kanë takuar, për ushqimet krejtësisht të veçanta të traditës… të gjitha si ndjesi romantike, jo si aventurë udhëtarësh, por si njerëz që adhurojnë natyrën.
Botimi do të dalë në gusht të 2009-s dhe do të ketë afërsisht 240 faqe. “Nga njëra anë shqiptarët nuk kanë dëshirë dhe guxim të shohin tjetrin në sy, por nga ana tjetër ata të mbushin raki dhe të ofrojnë një mikpritje të ngrohtë…”.






Komente
Ju pelqeu? Perse nuk shkruan dicka?