Loading...
Kliko ketu per video te tjera

Golloborda – skaji i harruar i Shqiperise

6 Qershor, 2008 · Printo kete artikull

GollobordaMalet e Gollobordës na shfaqen me gjithë bukurinë dhe ashpërsinë e tyre sapo kalojmë fshatin Llangë dhe zbresim poshtë malit të Mirakës. Masivi shkëmbor gati i zhveshur krejtësisht nga bimësia sikur t’i kishte ndodhur një hata e madhe, është në kontrast të madh me masivet e tjera malore që e qarkojnë, të cilat janë të mbuluara nga pyje madhështore. Pikërisht kjo pamje e zhveshur nga bimësia i ka dhënë emrin masivit malor në të cilin shtrihet krahina e Gollobordës. Në gjuhën shqipe Gollobordë do të thotë “malet e zhveshura”, ose më popullorçe, siç na e thotë një banor i zonës, “malet tullace”. Për të shkuar në zemër të kësaj krahine gati të veçantë me pjesën tjetër të vendit ndjekim rrugën që kalon nga Librazhdi dhe ngjitet përpjetë Lunikut. Pavarësisht se në hartë ky aks rrugor shënohet si rrugë kombëtare, gjëndja e saj në të vërtetë lë shumë për të dëshiruar. Drejtuesi i fuoristradës me të cilën udhëtojmë përpiqet që të shmang sa më shumë të jetë e mundur gropat dhe gungat e pafundme të rrugës. Në të dalë të Librazhdit, në anë të rrugës hasim një burrë që në pamjen e jashtëme e tregon shumë më të moshuar nga ç’mund të jetë në të vërtetë, I cili na bën shenjë me dorë për ta marrë në makinë. Nuk e humbim një shans të tillë. Jo pse do ta ndihmojmë sadopak mysafirin me emrin Skënder, por do të kemi një udhërrëfyes për në destinacionin për ku jemi nisur, ose më mirë një “cicëron” të tabanit popullor. Pasi shkëmbejmë përshëndjetjet e rastit, ai na pyet për ku jemi nisur. Në dorë mban një qese të errët që e shtërngon fort, a thua se ka ndonjë gjë me vlerë të jashtëzakonshme dhe ka frikë se mos ia rrëmben kush. Kur e pyesim se çfarë ka brenda saj ai rrudh fytyrën dhe më pas përgjigjet. “Epo çfarë të kem tjetër një tufë me farmakë, apo ilaçe për të mbajtur shpirtin gjallë. Ja për këto të flamosura kam zbritur sot qysh pa gdhirë në Librazhd. Apo kushtojnë pak, sikur ble flori jo helm”, na thotë me një trishtim që nuk e fsheh aspak Skënderi. Kur e pyesim edhe sa vjeç do të dalë në pension ai na e kthen gjithë ironi: “A ha, vate ajo punë. As që kam shpresë se do ta ha ndonjë ditë atë të shkretë pension! Tani që qeveria ka ndryshuar dhe ligjin, duke e rritur dhe nja pesë vjet moshën e pensionit, më duket se kam për ta marrë nja dy vjet pas vdekjes”, - thotë Skënderi.
GOLLOBORDA
Duke qarë hallet me plakun, i kemi shpëtuar paksa monotonisë së rrugës së pashtruar dhe si papritur gjendemi në hyrje të fushëgropës së Stërblevës. Pasi jemi ngjitur përpjetë për më shumë se një orë e gjysëm përpara në shfaqet me gjithë mrekullinë e saj kjo fushë e bukur që të krijon përshtypjen e një krateri vullkani. Rrethohet gjithandej me maja malesh, shpatet e të cilëve janë të veshur me pyje të dendura deri poshtë ku nisin livadhet e gjelbërta me bar të harlisur. Disa parcela të mbjella me patate dhe thekër, shpërndarë andej këndej nëpër fushë janë të vetmet që dëshmojnë praninë e njerëzve në këto anë. Kjo mrekulli e rrallë e natyrës është një destinacion i shkëlqyer për turizmin malor, por largësia nga qytetet më të afërta me të dhe rruga e keqe, e kanë lënë në harresë. Madje të duket sikur për të shkuar aty duhet të udhëtosh deri “mbrapa diellit”. Duke u zhytur në thellësinë e fushës hasim në të rrallë ndonjë vendali që gati i thyer më dysh prashit patatet, specialitet i trevës. Kopetë e bagëtive janë të vogla dhe si barinj të tyre shërbejnë fëmijë të vegjël apo vajza adoleshente. “Barinjtë modernë” të kësaj ane të detyruar nga kushtet e vështira të jetesës, kanë lënë mënjanë librat e shkollës për të nxjerrë në kullotë bagëtinë, që padyshim është ndër të ardhurat kryesore për të mbajtur gjallë familjet e tyre. Ky soj barinjsh qëndron në grupe nga dy-tre-katër apo më shumë. Si duket jo vetëm për ta kaluar sa më mirë të jetë e mundur kohën në kullotë, por dhe për t’i dhënë zemër njëri-tjetrit ku kopetë e tyre bëhen gjah i egërsirave që janë shtuar së tepërmi. Para se të ngjitemi aty ku ndodhet posta e policisë së Stërblevës, e cila kontrollon kufirin me Maqedoninë hasim në krah të rrugës një grumbull godinash njëkatëshe dhe dykatëshe që nga pamja e jashtëme duken qartë se dikur kanë shërbyer si repart ushtarak apo si fjetina për ushtarët e Shqipërisë Socialiste. Por këtu, këto lloj godinash nuk janë katandisur si në shumë pjesë të tjera të vendit, në gërmadha të një beteje që nuk u bë kurrë me armikun imagjinar. Banorët më të varfër të fshatrave të thellë të Gollobordës kanë zbritur në to dhe i kanë përshtatur në shtëpi banimi. Madje në fshatin Miresh, buzë kufirit me Dibrën e Madhe, të njëjtin fat ka pësuar dhe ish-posta e policisë, e cila deri tre vjet më parë ishte streha e rojeve të kufirit shtetëror. Ky transformim i objekteve ushtarake në verilindje të vendit është fakt që dëshmon se kufirin ndërshtetëror tashmë e patrullojnë vetëm kafshët e egra dhe tek-tuk ndonjë kontrabandist viçash.
TREBISHTI
Rruga na nxjerrë në krah të Ostrenit të Vogël, një fshat që duket sikur është mbërthyer fort me thonj në shpatin e pjerrët të një kodre të zhveshur për të mos rrëshkitur poshtë në përrua. Përpara na shfaqet pjesa shqiptare e mbetur matanë kufirit shtetëro. Qyteti i Dibrës së Madhe dhe fshatrat rreth tij shpërndarë si me dorë në kurrizin e malit. Ndërsa poshtë në përrua, një grumbull grash dhe vajzash të reja nga Ostreni i Vogël, kanë ngritur kazanët me ujë të valuar dhe lajnë rrobat. Duket si një skenë e huazuar nga ndonjë film me temë, shekujt e kaluar. Por ky përrua me ujë akull të ftohtë që duket sikur mbin nga toka vetëm disa qindra metra më lartë është shpresa e vetme për mbijetesën e fshatit. Nga shtrati i tij deri lart në fshat nuk është më shumë se 300-400 metra distancë, por askush nuk është kujtuar që t’i shpëtojë këto gra nga tortura e përditshme e të larit të teshave si qëmoti. Prej Ostrenit të vogël Trebishti, një nga fshatrat më të mëdhenj të zonës është shumë pranë. Ai na shfaqet krejt ndryshe nga Ostreni. Një fshat i madh, i shtrirë sa të ha syri në faqen e butë të malit. Gjelbërimi i harlisur i pemëve të shumta nuk ia ka dalë mbanë të mbulojë gjithë fshatin. Trebishti është një fshat që numëron rreth 2000 banorë, por deri në mesin e viteve ‘90 ai kishte dy herë më shumë se sot. Tre lagjet e mëdha Muçinë, Balonjë dhe Çelebi, lidhen aq natyrshëm me njëra-tjetrën, sa të duket sikur janë gishtatat e një pëllëmbe të shtrirë. Nga bashkimi i tyre rrjedh dhe emri i fshatit Trebisht(tre bishta). Minareje e hirtë e një xhamije të re të sapondërtuar në qëndër të fshatit na bën me dije identitetin fetar të banorëve të fshatit. Në qëndër të Trebishtit, ndodhet një lapidar i mbajtur mirë, mbi të cilin janë gdhëndur emrat e dhjetëra dëshmorëve të zonës që kanë dhënë jetën për çlirimin e saj. Karshi tij janë vendosur tre-katër lokale dhe disa njësi tregëtare që shesin gjithëçka që mund të blihet në këto anë. I nxehti i madh që kemi lënë pas në Tiranë këtu duket se nuk ka fare punë, përkundrazi klima është e freskët dhe e shëndetëshme.
DIPLOMATËT
Një nga pronarët e lokaleve ku ulemi për të pirë një birrë, na pret me këmbët e para: “Mos u lodhni kot, nuk kam fare pije të ftohta, madje as ekspresin nuk ua bëj dot. Jo se s’kam, por këtu kemi vetëm tre orë drita dhe frigoriferin e përdorim më shumë për dollap sesa për atë që e ka prodhuar fabrika. Më mirë po u jap nga një raki thane për të mos u nxjerrë bosh”. Një djalë i ri i sapo kthyer nga Greqia na thotë: “Ja për këtë punë kemi ikur nga fshati. S’ka rrugë, s’ka drita, s’ka shkollë, s’ka punë. Ti e sheh se të gjitha parcelat në fshat dhe rrotull tij janë punuar, por kaq nuk mjafton. Deri 10-12 vjet më parë fshati kishte dy shkolla të mesme, kishte qendër shëndetësore. Ndërsa sot ka mbetur vetëm shkolla 9-vjeçare. Sa për doktor, shyqyr zotit jemi të fortë”. Kur i pyesim një grumbull të rinjsh që janë mbledhur rreth nesh se çfarë janë, pasi veç gjuhës shqipe ata komunikojnë dhe në një dialekt të sllavishtes, njëri prej tyre na u përgjigj: “Po deri sa jetojmë në Shqipëri e flasim shqip jemi shqiptar. Kemi pasaportë shqiptare dhe zbatojmë ligjet e Shqipërisë. Këtu kemi shtëpitë dhe tokat tona, kështu që s’ka llogjikë tjetër. Kanë ardhur diplomatë bullgarë, maqedonas e tani sëfundi dhe grekë për të na përfshirë në listat e tyre, por mbetemi shqiptar pavarsisht se qeveria Shqipëtare s’po e çan kokën shumë për ne. Këta tanët na kanë harruar, kurse bullgarëve, maqedonasve e grekëve s’jemi duke u zënë besë”. Gani Shahini ka një tjetër hall. “Këtu merr vetëm TVSH-në, ndërsa për kanalet e tjera televizive apo gazetat as që bëhet fjalë. Sa për televizionet në gjuhën maqedone kemi boll, tre stacionet shtetërore dhe disa kanale private. Sëpaku të na sjellin një antenë për kanalet private shqiptare, të marrim vesh çfarë ndodh dhe çfarë bëhet”. Ndërsa një tjetër banor i fshatit që ka punuar dikur në polici na thotë se: “Bullgarët na kanë thënë se duan të na japin shtetësinë bullgare. Mbase se kanë keq se tani kanë hyrë dhe në Bashkimin Evropian, e prej tyre udhëtojmë qyl nëpër Evropë si himarjotët. Maqedonasit na thonë se jemi maqedonas, madje disa vjetë më parë u ngritën disa banorë të zonës dhe hartuan një peticion ku kërkonin bashkim me Maqedoninë. Po ç’e duam, ata janë më fukarenj se ne. Tani në fund na ka vizituar shpesh herë dhe një Vasil, Vasil, i ambasadës greke. Bile kjo ambasadë ka financuar dhe rikonstruksionin e shkollës së fshatit. Po ç’e do, si kofini pas të vjelit, tani njerëzit kanë marrë rrugët e janë drejtuar në qytetet e mëdha”. Largohemi nga Trebishti dhe banorët e tij me shpresën se një ditë dikush nga qeveritë apo deputetët shqiptarë do të kujtohet dhe për hallet e këtyre njerëzve punëtorë. Gjatë kthimit diku afër fshatit Klenjë, hasim në një pritë me gurë në rrugë. Sigurisht përshtypja e parë nuk është e mirë, për më tepër kur vetëm para disa orësh kishim kaluar në këtë aks. Për një moment na vjen në mend ‘97-ta dhe ditët e trazuara të saj me kusarë dhe maska që sulmonin e grabisnin udhëtarët dhe mjetet në rrugë. Kjo trevë nuk është shquar për gjëra të tilla, prandaj përpiqemi ta marrim me të qeshur dhe si një loj fëmijësh. Mbase dikush nga banorët e fshatit mund të ketë ndonjë konflikt me dikë tjetër dhe për fat të keq hasëm ne në të. Gjithsesi një grumbull gurësh nuk mund të na e prishë përshtypjen e mirë që krijuam për Gollobordën dhe banorët e saj.

Nga: Gazeta Shqiptare

Tell a Friend

Komente

2 komente per “Golloborda – skaji i harruar i Shqiperise”

  1. luljan kuniqi shkruajti ne 8 Prill, 2009 2:51 pm

    me pelqeu.Edhe pse jam i ri po di shum gjera nga zona e gollobordes.do te ishte mire te shkruhej nga pak per te gjithe fshatrat ,sepse kane rendesine dhe vlerat e tyre.faleminderit

    Pergjigju

  2. Perlat Hilmi Sadikaj shkruajti ne 19 Janar, 2010 12:00 pm

    Do te me pelqente,qe si trebishtas apo gollogordas,
    te kishim me shume lidhje me njeri tjetrin.
    Anuk e bejme dot?A jemi te pashkolluar apo te pa
    kulture?Mendoj se nuk eshte e vertete.Por na mungon
    vullneti,apo jemi bere teper indiferente per origjinen tone.
    Si thoni a mund te bejme edhe ne dicka?
    Atehere kush do ta marre inisiativen i pari?
    Me respekt per te gjithe gollobardasit
    Perlat Sadikaj

    Pergjigju

    xhoni u pergjigj ne daten Prill 2nd, 2010 9:28 pm:

    golloborde do te thote ,vend i zhveshur dhe vjen nga sllavishtja,(gollo) i xhveshur, dhe (berdo) vend. gjithashtu edhe emri trebisht vjen nga sllavishtja,dhe ka te bej me rrenjen( treb),pastrim,Trebishta
    do te thote pastrimet,sepse cdo pellembe toke eshte fituar duke pastruar guret e duke taracuar.Sot mund ta shohim nga lart nepermjet satelitit e na dalin jo tre por pese apo gjashte bishta

    Pergjigju

  3. Nita shkruajti ne 18 Prill, 2010 7:24 pm

    me ka marre malli per trebishtin, kam lindur edhe jam rritur atje.

    Pergjigju

Ju pelqeu? Perse nuk shkruan dicka?