Loading...
Kliko ketu per video te tjera

Gravurat e rralla që tregojnë shqiptarët në sytë e Evropës

30 Nentor, 2008 · Printo kete artikull

Piktura të vjetra dhe të rralla. Fletë gazete të zverdhura nga shekujt. Dëshmi të gjalla që rrëfejnë përmes origjinalitetit, se identiteti shqiptar është tepër i lashtë në Evropë. Shqiptarët në shekuj vijnë tek ne përmes gravurave origjinale të koleksionistëve të huaj. Madhështia ilire si pjesë përbërëse e historisë evropiane, Skënderbejada dhe luftërat për pavarësi, kësaj radhe të para nga sytë e të huajve, për të kuptuar më mirë se si na njohin ne jashtë kufijve, pa subjektivizëm. I ardhur nga lashtësia e shekujve dhe i shoqëruar me tragjizëm e epizëm, shqiptari historikisht ka qenë i nderuar dhe në kërkim të forcimit të identitetit të tij. Të gjitha këto i mësojmë në një intervistë me Fotaq Andrean, koleksionistin, studiuesin, përkthyesin dhe ish-ambasadorin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës. Andrea së bashku me koleksionistin tjetër, Dritan Maku kanë sjellë në Shqipëri rreth 110 gravura të cilat ekspozohen sonte në orën 18 në Galerinë Kombëtare të Arteve në ekspozitën me titull; “Shqiptarët në shekuj” .
Si u bë i mundur realizimi i ekspozitës “Shqiptarët në shekuj”?
Ideja është e një koleksionisti. Unë prej disa vitesh punoj me një djalë të ri që quhet Dritan Muka, që është në Kanada. Jemi antikuarë që mbledhin vlerat historike shqiptare nëpër botë. Nuk kufizohemi thjesht tek gravurat, por edhe tek të tjera materiale, siç është zbulimi që kemi bërë: Libri i Petrarkës. Ai mban dy herë emblemën kastriotase. Libri i Petrarkës është libri i tretë që vërteton se Skënderbeu kishte një bibliotekë të pasur. Libri i Petrarkës është një kodik i kohës, një vlerë e rrallë që gjendet në një nga Universitet e Amerikës. Gravurat që paraqiten në ekspozitën “Shqiptarët në shekuj”, përfshijnë periudhën historike që prej periudhës ilire. Më pas bëhet lidhja me periudha të tjera historike përmes medaljoneve të figurave të rëndësishme historike. Janë gravura të rralla. Duhet të flasim për elementin origjinal të ekspozitës, sepse ka gravura origjinale, por ne i kemi dhënë një dimension më të gjerë termit origjinal. Nëse origjinali në shekullin 14-15 ka qenë një dhe vetëm një, periudha e Skënderbeut dhe është zhdukur, gjurma e këtij origjinali, që gjendet në përkthimet e Barletit për heroin në gjuhë të huaja, në vepra të vjetra të shekullit 15-16, ekzistojnë dhe këtu kemi paraqitur pikërisht ato lloj gravurash që përmbajnë vlera të kohës. Asgjë nuk është riprodhim i sotëm, por janë vlera të kohës. Për një antikuar, termi origjinal ka një frymëmarrje më të gjerë. Shumë autorë si Zheromi, që ne kemi sjellë, i cili është marrë shumë me arnautët e Egjiptit, i prodhonte veprat e tij në një tirazh të kufizuar, i firmoste dhe janë origjinale. Kalojnë nga tablo vaji në gravura me ngjyrë, qoftë edhe bardhë e zi, sipas rastit.
Cila është risia dhe e veçanta që sjellin këto gravura për vizitorët?
Çdo gjë është origjinale në vetvete dhe nuk mund të bëhet një lloj ndarje e tyre. Nuk mund të themi që kjo është e veçanta apo më e veçanta prej gravurave. Sipas momenteve historike, si për shembull Lidhja e Prizrenit, apo Shpallja e Pavarësisë, momente tepër të rëndësishme për historinë shqiptare, këto pasqyrohen përmes veprave dhe gravurave dhe përbëjnë të veçantën mbi të veçantat. Ka një larmi tematike, nuk është shqiptari thjesht epik, historik, tragjik, por është edhe shqiptari i jetës së përditshme, qoftë edhe lirik, gruaja shqiptare në radhë të parë të luftës, por edhe gruaja shqiptare si amvisë. Gjithë ekspozita është vepër e autorëve të huaj dhe kjo ka shumë rëndësi. Shumica e tyre e kanë njohur Shqipërinë dhe popullin shqiptar nga afër, sepse mjaft nga punimet janë të bëra drejtpërsëdrejti këtu, portretet janë pikturuar në vendin tonë dhe kjo do të thotë se Shqipëria ishte në Evropë dhe identiteti shqiptar është tepër i lashtë. Etnia dhe etnogjeneza shqiptare janë të gjalla në këtë ekspozitë dhe për më tepër Shqipëria dhe shqiptarët, pavarësisht kufijve historikë që lëvizin e pavarësisht tragjizmave, vendi ynë ka qenë pjesë e Evropës dhe kanë dhënë kontributin e tyre dhe ky kontribut është i gjallë në këtë ekspozitë.
Si janë pritur disa nga momentet historike të Shqipërisë jashtë vendit, momente të tilla si Lidhja e Prizrenit, Shpallja e Pavarësisë? Janë pritur në sensin pozitiv si i njohim, ne apo ka pasur një tjetër kuptim për të huajt?
Janë pritur shumë mirë. Periudha skëndërbejane ka pasur një madhështi që e ngriti në një piedestal edhe evropian figurën e heroit, kohë kur Shqipëria u bë bllokada e invazionit turk në Evropë. Është pak e përfaqësuar periudha ilire, por periudha e historisë moderne me Skënderbeun, është mjaft mirë e trajtuar. Periudhë e rëndësishme është ajo e Pavarësisë, luftërat për çlirim që çuan në pavarësi, por kjo ka një shtrirje të gjerë kohore, dhe figura e shqiptarit është shfaqur në kërkim të afirmimit të vlerave kombëtare. Është Lidhja e Prizrenit, që është përfaqësuar shumë bukur dhe trajtuar po në atë mënyrë jashtë vendit. Tre janë momentet kulmore, Skënderbeu, Lidhja e Prizrenit dhe Shpallja e Pavarësisë, që tek të huajt pasqyrohen sikurse ne i njohim.
Cili është imazhi i shqiptarëve në shekuj, jashtë Shqipërisë?
Të flasësh për periudhat historike, Iliria ishte periudha e zotërimit të Adriatikut, Roma e lashtë që bëri përpjekje për të sunduar Adriatikun dhe Ilirinë, dhe le të themi kjo ishte tragjedia e parë shqiptare, por madhështia ilire ka qenë pjesë përbërëse e historisë evropiane. Po ashtu edhe periudha e Skënderbeut, ku figura e tij nuk është thjesht figura e luftëtarit, por është edhe figura e intelektualit, që fliste disa gjuhë të huaja, nuk ka asnjë lloj mitizimi të tij, nuk ka siç ndodh sot me disa figura që edhe denigrohen në kuadër të çmitizimit.
Ka lindur një debat mbi botimin e monografisë “Skënderbeu” në Shqipëri nga Oliver Schmitt…
Unë nuk e kam lexuar librin dhe nuk mund të prononcohem drejtpërsëdrejti për të. Unë në radhë të parë vlerësoj punën e historianit Schmitt, punën tepër të lavdërueshme të përkthyesit Ardian Klosi, por edhe seriozitetin e historianit që bazohet mbi dokumente. Mendoj që nuk duhet të flasim thjesht për mitizim dhe çmitizim, heroi nuk ka nevojë për të dy ekstremet, nuk ka nevojë të vishet me legjendë, me mit dhe madhështi për ta larguar nga realiteti. Barleti dhe arsyet pse e bëri ka diçka të ekzagjeruar, por e ka njohur nga afër historikisht. Është tjetër çështje kur autori i ngre vlerat dhe i vesh me lavdi, është subjektiv, por duhet ta shohim figurën e heroit siç është, burim shpirtëror i Rilindjes shqiptare dhe i luftërave për pavarësi. Sot e kësaj dite është simboli kombëtar.
Cili është imazhi i tij jashtë vendit?
Një Skënderbe që ka qenë në elitën intelektuale të kohës, ka pasur kancelarinë dhe bibliotekën më të zhvilluar në pararojë të inteligjencës së kohës. Nga studimi që kemi bërë mbi Petrarkën, del që ka pasur shumë kodikë. Ai i Petrarkës është një libër unikal. Ky libër është bërë me porosi për bibliotekën kastriotase dhe ka dy herë emblemën kastriotase, dhe është e njëjta emblemë si tek libri i uratëve. Një figurë erudite, intelektual i klasit të parë, humanist, njohës i disa gjuhëve të huaja.
Si i sollët në Shqipëri gravurat e rralla?
Unë nuk flas në emrin tim personal, por flas edhe në emër të bashkautorit Dritan Muka, që është i ri dhe bën një punë për t’u lavdëruar, një bashkëpunim brezash mes nesh. Ai është shumë i apasionuar dhe gjen kohë të hulumtojë dhe të rrëmojë për të gjetur këto vlera. Nga kjo anë është thjesht puna pasionante. Kjo ekspozitë është një premierë që hapet për herë të parë.
Sa ju ka ndihmuar të qenit ambasador i Shqipërisë në Këshillin e Europës para disa vitesh? Një politikan që kujdeset për artin…
Nuk e fus veten tek politika. Kam qenë dhe jam përkthyes në radhë të parë, studiues dhe koleksionist, politikan jo. Sigurisht gjatë kohës që isha në detyrë, problemi kryesor ishte imazhi i vendit tonë në Evropë dhe në botë. Mesazhi që përcillet, pavarësisht nga vështirësitë e demokracisë së brishtë siç e dimë, ishte që imazhi të përforcohej gjithmonë e më shumë në krahun pozitiv. Një nga mënyrat ishte mbledhja e vlerave historike shqiptare, sepse këtu kemi krenarinë historike tonën. Vërtet shqiptari historikisht ka qenë i shoqëruar me tragjizmin dhe epizmin e tij, por figura edhe pse ka lloj-lloj mendimesh, shqiptarët kanë qenë të nderuar, jo vetëm në kohën e Skënderbeut, por edhe më pas si në kohën e Turqisë evropiane, qoftë periudha e Ali Pashë Tepelenës, të Mehmet Aliut në Egjipt. Figura e shqiptarit del e nderuar. Shqiptari ka qenë në kërkim të forcimit të identitetit të tij në Evropë, jo vetëm ka qenë, por edhe pasqyrohet si i tillë. Ai ka ndihmuar edhe popujt e tjerë evropianë fqinj. Nuk ka pse ta shohim shqiptarin historikisht me komplekse. Është tjetër gjë që tragjizmi, apo periudha 50-vjeçare, apo periudha të tjera të errëta na kanë lënë këtë lloj realiteti, por tani kërkohen ritme të shpejta zhvillimi dhe kultura të zërë vendin që meriton.
Sa gravura do ekspozohen sot në GKA?
Këtu janë 111 gravura, që pasqyrojnë pjesë të ndryshme historike. Autorët janë që tek Zhostamani e famshëm për periudhën e Skënderbeut, vazhdon me francezë, si Leon Zheromi, Valeri, Udvili i njohur anglez, ka gravuristë çek dhe hungarezë, holandezë. Gjithçka e kam për zemër. Do bëja mëkat të ngrija lart një gravurë dhe një emër që të ulja një tjetër. Vlera antikuare është e njëjtë për çdo gravurë. Mbledhja e gjithë këtyre gravurave ka kërkuar rreth 6-7 vite punë.
Pse vjen me mbështetjen e kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli?
Unë kërkova një bashkëpunim, përcolla një mesazh për kulturën shqiptare dhe tek Jozefina Topalli gjeta personin politik që e ndjek me seriozitet të madh kulturën dhe historinë shqiptare. Ishte një kënaqësi e madhe që me mesazhin e parë, zonja Topalli u tregua e entuziaste dhe më mbështeti shumë moralisht për të çelur këtë ekspozitë që meriton të njihet nga publiku shqiptar.

Nga: Fatmira Nikolli
 Balkanweb

Tell a Friend

Komente

1 Koment per “Gravurat e rralla që tregojnë shqiptarët në sytë e Evropës”

  1. Elsa shkruajti ne 29 Maj, 2009 11:10 am

    shumë interesante. Më pëlqeu

    Pergjigju

Ju pelqeu? Perse nuk shkruan dicka?