Mirdita turistike 2008
29 Korrik, 2008 · Printo kete artikull
Shpejtësi dhe andrenalinë në kulm, ashtu siç dijnë të bëjnë vetëm këta djem të guximshëm, me makinat e tyre karakteristike 4x4. Natyrë, dasmë dhe një sfilatë ku tradita u përcoll në mënyrë moderne.Spektakli i Rally Albania është ndërthurur me shtegtimin “Mirdita turistike 2008”. Nëpër rrugët malore të Mirditës, që nga Rrësheni deri në majën e të Shëlbuemit të Nënshejtit, gara është shoqëruar nga rituale dasmash, të mbështetura mbi zakone e doke të zonës, por që duket se organizatorët kanë goditur në shenjë. Aktiviteti i bashkisë së Rrëshenit, i mbështetur edhe nga agjencia e Zhvillimit të Zonave Malore (MADA) ka mbledhur turistë të shumtë shqiptarë dhe të huaj.
“Stacioni i parë”: Gëziqi
Makinat e vëna në rresht, që nga ato të Rally-t deri tek makinat e policisë janë ndalur tek Kisha e Gëziqit, ku ka folur për epiqendrën e shtetit të parë të Arbrit studiuesi Ndue Dedaj. Ai ka përmendur rëndësinë e këtij vendi jo vetëm për Mirditën, por dhe për Shqipërinë. Pikërisht në këtë vend është gjeturstema e Arbërit, që sot ruhet në muzeun historik kombëtar si dëshmi e autencitetit tonë.
“Stacioni i dytë”, vend i ndaluar!
Pas një ndalese të shkurtër në Shpal, tek kuvendet e famshme, karvani turistik i prirë nga makinat e mëdha ka shtegtuar përmes disa kilometrave në autostradën e re, duke kundruar dhe urat e bukura në Reps, por që nuk janë lënë nga shërbimi i sigurisë për të bërë një kalim të organizuar nëpër tre urat e përfunduara tashmë deri tek lisat e Marpepaj, monument kulture. Vetë qendra e kampingut duket si një garnizon ushtarak i pavizitueshëm nga askush, ndërsa Bechtel ka vënë rregulla të rrepta që askush dhe sidomos gazetarë të mos shkelin aty. E njëjta gjë ngjet dhe me këtë karvan shtegtuesish turistikë!
“Stacioni i tretë”: Ultinjtë e Nënshejtit
Më pas kalojmë nëpër fshatrat e Oroshit, Lgjinit, Bulsharit dhe më tej për Nënshejt. Një nga pamjet vërtet befasuese, pas mjegullës së davaritur pas shiut të natës ofrojnë fshatrat e Oroshit. Foto të lira dhe ecje të vrullshme, rrugës së vështirë me makinat sportive, kanë qenë në imazhin e kësaj pjese shtegtuese.
Ultini i Nëshejtit, i mbjellur nga fretërit e bardhë benediktë të ardhur nga Roma këtu e 900 vite më parë është vizituar nga grupi shtegtues. Edhe pse i moçëm dhe thuajse i “plakur”, në grahmat e fundit, një mrekulli më vete për nga pozicioni i vendosjes në Qafë Shejt. Studiuesi Bardhok Pulaj në rolin e ciceronit ka shpjeguar gjithë historinë e tyre si dhe ansamblit kishtar në këtë vend magjepsës për nga historitë dhe pamja piktoreske, me sa duket aq e gjetur nga benediktinët e hershëm, që moto të tyren kishin: “Lutu dhe puno”. Drejtori i shërbimit pyjor, Lek Marndrea, ka bërë të ditur se kjo bjeshkë është shpallur Park Kombëtar nën mbrojtje dhe se për këtë gjë do të aplikohen disa projekte rivitalizimi të tyre aq më tepër që një pjesë do të jenë komunale. Mbetet e rëndësishme që këto pyje të ruhen nga prerjet dhe sidomos nga zjarret, pasi e tërë kurora e Nënshejtit deri në thellësi të pyjeve të Fanit dukej e djegur dhe e përzhitur nga flakët e vitit të kaluar.
GARA - Spektakël në fushat Lugje
Ka qenë një shfaqje spontane e rrallë e makinave të Rally-Albania në fushat Lugje, ku djemtë e guximshëm si Spartaku, Edi, Dori, Xhikja kanë performuar skena vërtet magjepsëse me shpejtësitë skëterrë dhe ngjitjet thuajse alpine me makinat e tyre nëpër livadhe. Uturimat e motorëve kanë bërë që kuajt të bëjnë trokthin nëpër livadhet e pamata, ashtu si dhe të zgjojnë kureshtjen e barinjve që i verojnë bagëtitë në dhjetëra stane në këtë vend me kullosë të bollshme. Një vend i bekuar dhe për bletët që gumëzhijnë nëpër lulet e lëndinave të gjelbra. Por djemtë e Rally-t thonë se qenka vend i pakrahasuar me askund në Shqipëri, ndërsa bëjnë ngjitje të frikshme majë kodrave, ku nuk mungon dhe ndonjë çarje gome a difekt, por që i rregullojnë në punë sekondash. Qentë e mëdhenj të staneve u bëhen bashkëshoqërues me lehjet e tyre në “galopimet” e makinave të shpejtësisë.
RITI - Si një dasmë mirditore…
Nënshejti është mbledhur i tëri, si në një dasmë. Një dasmë që bëhej në zakon të të parëve. Oborri i kullës bujare dykatëshe të Gjetë Ndojt ka pritur “dasmorët e ansamblit Mirdita”, një stilizim perfekt i këtij riti kaq të bukur burimor dhe ndonëse spontan, i performuar në shkallë të lartë përsosmërie nga trupa e artistëve të këtij ansambli. Nuse me duvak mbi kalë, krushqit burra, nëna e nuses, i zoti i shpisë e me radhë…. E gjithë kjo është gërshetuar me ushqimin-bio në sofra, pritja e krushqeve dhe sajdisja e nuses, e deri këngët e bukura të këtij ansambli që nga kolazhe dasmash e me radhë. Po aty, në atë ambient kaq të këndshëm dasme u shijuan pijet tradicionale, ku është shquar vera dhe rakia e vreshtarisë tradicionale të krahinës, si dhe pijet me përbërës medicinalë si dhe bimë të tilla, të mbledhura nga mjeshtri i kësaj fushe, Nikoll Pershqefa. 40 lloje ilacesh mjekësore popullore të mbledhura nëpër malet e Mirditës janë prezantuar aty, ashtu si dhe ushqimet-bio të traditës. Ushqimi i përdorur në sofrat e shtruara në oborrin e jeshiltë të kësaj kulle ka qenë i vendit deri tek kosi, djathi, qumështi i tundur, mishi, mjalti e me radhë.
TRADITË & SFILATË - Miss “bjeshka e Oroshit”
E bukur dhe tejet e mirëpritur sfilata e bukurosheve të bjeshkës… Nën ritmin e muzikës orkestrale kanë sfiluar me rrobat mirditore disa vajza. Me një votim publik është përzgjedhur dhe Miss Bjeshka, për guidën “Mirdita turistike 2008”, që i takoi të ishte Alvarita Preçi, studente në Universitetin e Tiranës, ndërsa shoqëruese në vend të dytë Pranvera Ndoj, studente e sapodiplomuar në gazetari, që performoi mrekullisht në rolin e nuses së hershme të zakonit. Për fitueset Kantina e verës “Arbri” ka ndarë dhe vlera të vogla financiare duke hapur kështu shtegun e një promocioni të tillë të bukurisë mirditore. Nën ritmet e këngës “Si vendlindja jonë nuk ka” është përmbyllur gjithë aktiviteti i veçantë guidistik, nga të rrallët e këtij lloji që zhvillohen në Shqipëri. Në fund të veprimtarisë, grupi shtegtues është ndalur tek Abacia e Famshme e Oroshit, ku u fol rreth historisë së kësaj abacie, ku shërbeu abat Prend Doci. Po ashtu një historik i shkurtër është bërë për derën e Kapidanatit si dhe internatin e Grykë Oroshit. Prej këtu u mbyll një tur turistik i veçantë në trevat e veriut, të cilat bartin vlera të rralla për vizitorë të huaj dhe vendas.






Komente
Ju pelqeu? Perse nuk shkruan dicka?