Mrekullite e heshtura ndodhen ne Voskopoje
5 Nentor, 2008 · Printo kete artikull
“Sikstina e Ballkanit” i Maximilien Durand-it paraqitet në Shqipëri. Piktura murale e Shën Thanasit të Voskopojës, punuar nga Zografët në stilin post-bizantin, dëshmon shijet e një qytetërimi të hershëm dhe multikulturor dikur.
“Sixtine Des Balkans”, libri mbi afresket e kishës së Shën Thanasit në Voskopojë, me autor Maximilien Durand, historiani i artit dhe prof. në Shkollën e Luvrit, u promovua dje në Institutin e Monumenteve të Kulturës në kuadër të projektit “Voskopojë pa kufij”, si rezultat i një bashkëpunimi shqiptaro-francez.
Vepra i kushtohet mjeshtër Zografi, vëllezërve Kostandin dhe Thanas të cilët kanë piktuar të ashtuquajturën “Sikstinë”, si për të aluduar një krahasim me capella sistina, mrekullinë e pikturës murale, trashëgimi e Mikelanxhelos në Vatikan.
Muralet e Zografëve në stilin post-bizantin, janë për autorin francez dëshmi e shijeve të një Voskopoje multikulturore dhe e një qytetërimi të hershëm.
Të shkolluar në Malin Athos (Greqi), vendi ku gratë madje dhe kafshët e gjinisë femërore janë rreptësisht të ndaluara të shkelin, vëllezërit Zografi kanë krijuar mbi muret e kësaj kishe, pikturat e mrekullueshme të traditës bizantine me ngjyrat dhe motivet e saj të çmuara.
Durand, në pamundësi për të qënë i pranishëm në konferencë, nëpërmjet një letre të dërguar nga Franca, shprehet i mrekulluar për pasuritë kulturore që mbart ky vend dhe entuziazmin e tij për publikimin e veprës si, “fryt i një bashkëpunimi serioz dhe shume efikas, i cili evidenton vlerat e pikturave murale, trashëgiminë dhe stilistikën e vjetër e origjinale të këtij qytetërimi.”
E pranishme ishte dhe Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Maryse Daviet, që në fjalimin e saj përshëndetës e konsideroi veprën dëshmi tashmë të mbetura nga qyteti aktiv i shekujve të kaluar.
“Sikstina e Ballkanit” është një ftesë jo vetëm për shqiptarët që nuk e njohin Voskopojën, por për të gjithë frankofonët që të vijnë të shijojnë këtë mrekulli të heshtur që ndodhet në Shqipëri”,- tha ambasadorja.
Viktimë e diktaturës, Voskopoja një nga qytetërimet më të vjetra e pozicionuar në rrugët tregtare që lidh Venecien me Kostandinopojën, në territorin e të cilës qëndruan intelektualët, artistët dhe tregtarët, kjo qytezë nuk u harrua nga “kasapët” e revolucionit kulturor të cilët me varré në dorë shkatërruan kulturën dhe prishën kisha e xhamia të një tradite disa shekullore.
Të mbijetuarit e kësaj kasapane janë kishat “Shën Mëria”, “Shën Thanasi”, “Kryeengjëjt Shën-Mëhill dhe Gabriel”, “Shën Nikolla”, “Profeti Ilia” dhe pjesa më e madhe e të cilave është stolisur me piktura që mbeten dhe sot në gjendje të mjeruar.
Besim Lila, aktualisht në postin e Drejtorit të komanduar të IMK-së, shpreson se bashkëpunimi i ngushtë midis partnerëve në këtë projekt do të nxisë profesionalisht dokumentimin, konservimin dhe vlerësimin e mëtejshëm të burimeve të pashtershme të trashëgimisë kulturore.
Lika falënderoi dhe autorin e këtij libri që “servir vlerat arkitektonike dhe artistike të kishave të Voskopjës dhe në veçanti vlerat e Shën Thanasit, e cila gjatë viteve 2004-‘05, ka shërbyer si shkollë kantier dhe ka ndihmuar në trajnimin e restauratorëve të rinj shqiptarë dhe të huaj, nëpërmjet studimeve dhe ndërhyrjeve profesionale në monument.”
Në paraqitjen e librit katalog, i pasur me imazhe të pikturave murale, të ikonave dhe detajet e tyre fotografike, ishin të pranishmëm përfaqësues së shoqatës “Trashegimi pa kufij” dhe kryetari i komunës Voskopojë, Nexhip Baçelli.
Një vit më parë shoqata “Patrimoine sans frontiers” (Trashëgimia pa kufij), me anë të një ekspozite fotografike bëri një prezantim të monumenteve relike që i mbijetuan kohës dhe pasuritë kulturore të cilat duhen kultivuar me kujdes. Shoqata punon për gati 10 vjet, së bashku me IMK-në dhe me ndihmën e Ambasadës Franceze në Shqipëri, për kultivimin e monumenteve në juglindje të Shqipërisë. Në vitin 1999, Patrick Chrismant, Ambasador i Francës në Shqipëri, me anë të një kërkese dërguar PSF-së dhe IMK-së, thekson rëndësinë e ndërhyrjes dhe ruajtien e vlerave të komunës së Voskopojës, fshati i cili dikur qëndronte në listën e qyteteve më të rëndësishme të Ballkanit.
Nga: Anri Bala






cmendim keni per bregdetin e virgjer te velipojes
Pergjigju
Bregdet i virgjer i velipojes ?!
Si a e mundur !!!
A e din salia kte ???
Pergjigju