Loading...
Kliko ketu per video te tjera

Plazhet e fshehura te Evropes

24 Qershor, 2008 · Printo kete artikull

Rrugët pa krye të vendit janë arsyeja kryesore që riviera shqiptare i ka shpëtuar deri tani dyndjes turistike në shkallë të lartë. Kjo dhe problemet e pronësisë. Rikonstruktimi i rrugëve me ndihmën e Bankës Botërore, është i pari investim i madh këtu, që kur Ushtria Italiane e ndërtoi këtë rrugë në vitin 1940. Ky investim shihet si një rrugë mjaft e mirë për të fituar votat në këto lokalitete të cilat janë shumë afër Korfuzit dhe e dinë se çfarë fitimesh vijnë nga turizmi. Klisheja se kjo linjë bregdetare rreth 130 kilometra është një nga më tërheqëset e Mesdheut me plazhe të zbrazëta besohet nga banorët e zonës së Himarës. “Natyra është gjëja më e rëndësishme këtu, ashtu si lidhja mes maleve dhe detit”, thotë

Stefo Mato, duke treguar malet e larta karstike që zhytnin këmbët e tyre në rërën e bregdetit. “Por shërbimet për turistët duhet të përmirësohen. Ka shumë gjëra për tu bërë këtu.”

Pikërisht për këtë gjë ia vlen ta vizitosh bregdetin Jonian të Shqipërisë, përpara se të vijnë këtu çadrat e diellit dhe motoskafët e vegjël që do të largojnë këngën e gjinkallave. Çdo udhëtarë i guximshëm duhet të vijë drejt e në qafë të Llogorasë, prej nga do të shohë se si Mali i Çikës zhytet në det, nga një lartësi 910 metra. Spektakli zbulon Mesdheun ashtu siç ai ka qenë njëherë e një kohë.

Pishat, qitrot dhe fermat e vjetra me të vërtetë që të tërheqin vëmendjen. Në këtë zonë bregdetare investimet, sidomos ato që vijnë nga jashtë, sapo kanë filluar të modifikojnë vendin. Problemet e pronësisë janë ende një çështje dite, sidomos aty ku janë edhe plazhet më të mira. Dhe autoritetet shqiptare janë ende duke kryer procesin e kthimit të pronave ish-pronarëve të epokës së para-komunizmit. Titujt falsë të pronësisë dhe konfliktet për tokën janë në nivele të larta.

Kthesa të pafundme rëre, monastire të vjetra ortodokse, shtëpi të vogla pushimi si biznese familjare, kafetë buzë rrugës dhe trofta e freskët në zgar, janë këtu më të rëndësishme se frigoriferët e shëmtuar të akulloreve dhe reklamat për solucionet që ndihmojnë nxirjen. E vetmja gjë e stisur që të bie në sy janë dordolecët prej kukullash që varen jashtë dyerve për të larguar syrin e keq - një gjë që e gjen edhe në hotelet e papërfunduara në Sarandë.

Ju do të keni më shumë shanse të shihni gra të moshuara me shami të bardha rreth kokës dhe funde të gjata duke ruajtur delet në shpatet erëmira, se sa turistë të nxirë nga dielli. Dhe ndërveprimi me banorët e zonës është mjaft i lehtë, prej tyre mund të blesh mjaltë në anë ët rrugës dhe të mësosh që bletët këtu kanë më shumë lule të egra për të zgjedhur se sa në çdo vend tjetër të Evropës.

E vetmja pjesë e rendit të kaluar të Shqipërisë, janë barakat e braktisura të kooperativave dhe bunkerët. Vendi ka një kërpudhë gri për 1 në katër banorë. Qindra mijëra të tilla mbushin panoramën, të gjitha dhuratë e Enver Hoxhës diktatorit stalinist, që kishte si paranojë pushtimin nga Perëndimi.

Tani shqiptarët po i përdorin ata si një mënyrë për të tërhequr të huajt dhe kënaqur turistët. Ju mund të hani ushqim të shkëlqyer në një kuzhinë me produkte detin në një kupolë të quajtur “Restorant Bunkeri” në Durrës; përgjatë rrugës për në Vlorë artistët i kanë pikturuar bunkerët në mënyra të çuditshme. Legjenda thotë se arkitekti i tyre ishte futur brenda njërit nga prototipat i cili më pas ishte bombarduar nga një tank. Bunkeri i mbijetoi sulmit dhe po ashtu edhe arkitekti i tij i tronditur nga shpërthimi dhe në këtë moment filloi edhe prodhimi në masë. Në ditët e sotme kushton 5 mijë paund të heqësh qafe një nga këto kuti betoni. “Mjaft shqiptarë kanë humbur virgjërinë në këto bunkerë, ndërsa një pjesë përdoren për të mbajtur delet dhe kafshët shtëpiake,” thotë Raimonda Nelku, një punonjëse e USAID. “Ata janë në psikikën e shqiptarëve.”

Saranda ka reputacionin e njërit prej vendeve me më shumë diell në Evropë, me më shumë se 290 ditë me kohë të mirë në vit, ku në mes të verës temperaturat arrin në 30 gradë celsius. Në ditët e sotme një nga qytetet më të mëdha të Jugut të vendit duket sikur është ndërtuar vetëm përgjysmë me një pjesë të pallateve dhe hoteleve ende në themele duke iu qepur kodrave. Një pjesë e madhe e aktivitetit kryhet nga shqiptarë që punojnë jashtë dhe dërgojnë paratë në shtëpi. Këtu palmat u bëjnë hije burrave të vjetër që rrufisin kafetë e tyre, pa u ngutur fare nga fluksi ditorë i turistëve.

Një pjesë e mirë e këtyre janë Britanikë, që vijnë për udhëtime një ditore nga Korfuzi. Tani ata inkurajohen të qëndrojnë këtej më gjatë. Një tërheqje e fuqishme të cilën edhe operatorët grekë e pranojnë është Butrinti, disa milje në Jug të Sarandës përballë Korfuzit, Ky vend i shpallur nga UNESCO, trashëgimi botërore është 2,500- vjeçar dhe fillon si një koloni greke, për të vazhduar me një qytet romak dhe me rrënoja bizantine. Është fakt që vetëm 15% e Butrintit është nxjerrë mbi dhe, por sipas Nelkut, Matos dhe të tjerëve e njëjta situatë është në të gjithë vendin. Ata shpresojnë se vendi i tyre do të jetë “Një dashuri e re Mesdhetare”, ashtu siç thonë edhe reklamat në televizionet ndërkombëtare.

Nga: Nick Easen / The Guardian

Tell a Friend

Komente

Ju pelqeu? Perse nuk shkruan dicka?