Plazhet me te bukura te Jugut
4 Gusht, 2008 · Printo kete artikull
PARKU KOMBETAR I LLOGARASE
Ndodhet 40 km në juglindje të qytetit të Vlorës në kufirin midis Adriatikut dhe Jonit. Lartësia duke u ngjitur rritet nga 470 m. në 2018 m. Në afërsi të pikës së Qafë Llogarasë takohen drurë me forma kurorash mjaft interesante ndikuar edhe nga korentet e erërave. Këtu do të veçonim “Pishën Flamur” që është një monument i rrallë i natyrës me mjaft vlera turistike dhe shkencore.
Nga Qafa e Llogarasë rreth 3 km vijë ajrore, syri të përfshin detin Jon, pjesët e thepisura të Maleve të Vetëtimës si dhe një pjesë të mirë të Rivierës Shqiptare. Parku përshkohet nga Rruga Nacionale Vlorë - Himarë - Sarandë.
Në brendësi të tij për të apasionuarit pas eko - turizmit ka shumë shtigje. Ka një florë dhe faunë mjaft të pasur 105 lloje zogjsh, kafshësh të tjera si dhelpra, macja e egër, dreri etj. Ky Park ka vlera klimaterike dhe kjo falë kombinimit mjaft të mirë të ajrit të freskët malor me atë detar. Ai konsiderohet si një prej destinacioneve turistike më të rëndësishëm. Ofron mundësi për ekoturizëm, sportet e ajrit, ekskursione, treking etj.
PLAZHI PALASES
Fshati Palasë është i vendosur në faqen e Malit të Çikës dhe njëkohësisht fshati i parë i bregut pasi kalon Qafën e Llogarasë. Në qëndër të tij gjendet rrapi shekullor. Ky fshat dallohet për rrugët e ngushta me kalldrëm, që të çojnë në shtëpitë e bardha me oborre plot me pjerrgulla e vazo me karafila. Pjese e tij është, Plazhi i Palasës me një shtrirje mjaft të gjatë mbi 1.5 km. Ai shërben si vënd pritjeje për të apasionuarit pas sporteve të ajrit, të cilët hidhen nga Qafa e Llogarasë dhe bien pikërisht në Plazhin e Palasës.
DHERMIU
Emri Dhërmi, që banorët e vjetër e quajne Drimades vjen nga greqishtja Drymades, që do të thotë pyll dushku. Ky fshat është ndërtuar në shek XII-XIV mbi një sërë kodrash. Eshtë një fshat i madh dhe i bukur, me rreth 30 kisha të vjetra, i vendosur në shpat të malit në një terren të thyer. Ai përfaqëson një nga fshatrat më të vjetër dhe më karakteristike të Bregdetit Jonian. Dallohet për shtëpitë e vjetra me arkitekturë karakteristike.
Dhërmiu njihet për plazhet e tij të mrekullueshme. I jashtëzakonshëm është plazhi i Gjipesë i formuar nga një përua që zbret nga mali në një rrugë madhështore, pranë rrugës nacionale.
SHPELLA E PIRATEVE
Gjëndet në kodrinën ku është vendosur Manastiri i Shën Todhrit, në fshatin e Dhërmiut. Eshtë një shpellë karstike. Emrin e ka marë sepse në të, kohë më parë strehoheshin piratët e detit me anijet e tyre. Kur deti është i qetë ajo mund të vizitohet me lehtësi duke ofruar një pamje të mrekullueshme për vizitorin.
Qeparo
Menjëherë pas gjirit të Panoramës (Palermos) shfaqet një pamje tjeter e mrekullueshme, lugina e Qeparoit, plazhi, fusha e gjelbër dhe fshati i ri Qeparo fushë, më lart Qeparoit, kalaja e Karosit dhe në thellësi fshati Kudhës. Emri i fshatit Qeparo vjen nga bima e qiparisit.
Plazhi i Skalomes, i veçante për rërën e holle dhe detin e cekët të shfaqet përpara. Në gjirin e vogël gjëndet moli i lashtë, një bankinë prej blloqesh guri, shpella e Frengut dhe Hunda e Madhe. Rruga nacionale përmes ullishtave të çon në qëndër të fshatit përmbi të cilin ngrihet manastiri i Shën Mitrit i ndërtuar në 1881, Kisha e Shën Mitrit është e stilit bizantin e ndërtuar në vitin 1760 dhe ka vlera të mëdha për ikonostaset e saj prej druri.
Borshi
Rreth 2 km lag fshatit Qeparo takojmë fshatin Borsh që në lashtësi quhej Meandria, një sipërfaqe e gjelbër, plazhë e det pa fund, qiell i kaltër. Ky fshat është i vendosur në një gropë të ngushtë sipër buzës së detit, ku derdhet përroi i Borshit (Buronja e Malit). Ky përrua shpërthen nga shkëmbi në mes të fshatit. Mbi këtë fshat në majë të shkëmbit ngrihet Kalaja e Borshit, që i përket shekullit të IV B.C. Rruga përmes ullishteve të çon në plazhin e Borshit me i gjati i krahinës. Duke udhëtuar midis gjelbërimit mbërrijmë në shkallën e Stenoit, lagje e bukur e Borshit me shtëpi të shpërndara midis gjelbërimit dhe ujrave të bollshme.
Lukova
Nga Buneci përmes parajsës së taracave mbërrijmë në komunën e Lukovës. Banesat e kësaj komune lidhen me rrugë me plazhet e bukra dhe intime si dhe shpellat. Rrugët karakteristike të çojnë në oboret plot pjerrgulla e lule të banesave të larta të fshatit. Në qëndër të fshatit mund të vizitoni kishën e Shën Thanasit. Emri Lukove e ka prejardhjen nga fjala shqip luk me prapashtesat zbukuruse sllave ovo.
Kakome
Pranë rrugës kryesore në luginën e Krekëzës degëzohet rruga drejt Kakomesë, një gji mjaft piktoresk. Në të gjendet manastiri i përmendur i rrethuar me mure të lartë. Në qendër të tij ndodhet Kisha e Shënmërisë e ndërtuar mbi themelet e vjetra bizantine që ka formën e një kryqi.
Plazhi i Kakomesë me rërë e zhavor të hollë midis variacioneve të kaltërsisë dhe gjelbërimit është një parajsë e vërtetë. Nga Kakomeja nëpërmjet detit mbërin në 2 plazhet e Krorëzit, ku pamja arin bukurinë e ëndrave. Rëra e pastër, brigjet shkëmbore, si dhe burimet e ftohta joshin turistët e ndryshëm.
Ksamili
Këta ishuj ndodhen rreth 7.5 m deri në 15 m mbi nivelin e detit. Për të shkuar tek ky monument meret rruga automobilistike Sarandë - Ksamil. Në këto ishuj shkohet me lundrim. Këta janë ishuj të vegjël shkëmbor të vendosur pranë njeri tjetrit të mbuluar me një vegjetacion tipik mesdhetar mjaft të zhvilluar. Fshati i Ksamilit përfaqëson një pikë të rëndësishme për turizmin familjar. Aktiviteti ekonomik i fshatit mbështetet pikerisht tek turizmi veror, kur gjatë stinës së verës me qindra familjarë marrin me qera apartamente për periudha një ose dy javore për të kaluar pushimet.
Burimi i Syrit të Kaltër
Shkohet pas një devijimi nga rruga nacionale për në drejtim të Gjirokastrës. Pas kalohet hidrocentrali Bistrica I , merret rruga majtas dhe pas rreth 2km do të shfaqet gjelbërimi në mes të së cilit ndodhet burimi i Syrit të Kaltër. Ai është një burim karstik, 18 km nga Saranda dhe përbën një nga bukuritë natyrore më tërheqëse të zonës për ujin e kristaltë, ngjyrën e veçantë që ia japin gurët nga thellësia e tij dhe freskinë e pyllit të lartë që e rrethon. Ai ka një prurje mesatare 6 m3 në sekondë. Burimi del në rrëzë të kodrave që të ngjisin në Qafë Muzinë.



















pse nuk ka askund kampe per me tenda me pushu e disa nuk po mundemi me ardh ne pushime por po duhet me shku ne vende tjera
[Pergjigju]