Projekt per shpetimin e mozaikut te Linit
17 Shtator, 2008 · Printo kete artikull
Instituti i Monumenteve të Kulturës po përgatit një projekt- ndërhyrje në mozaikun e Linit, Pogradec. I njohur si një nga më të veçantët në ndërtimin e tij, mozaiku, i cili daton që në kohën e Justinianit, prej disa vitesh është në gjendje të mjerueshme. Përkujdesi për të është pothuajse i munguar. Ai mbrohet nga një strukturë e lartë, e ngritur mbi 12 këmbë metalike, që përsipër mbulohet me pllaka eterniti. Në fakt është shpenzuar jo pak për ta ngritur këtë strukturë, e cila shumë pak arrin të mbrojë mozaikun. Ka qenë një fond prej 200 mijë eurosh, i dhënë nga Ambasada gjermane para disa vitesh, për rehabilitimin e vlerave të mozaikut. I ndodhur në kodrën e fshatit Lin të Pogradecit, edhe me ngritjen e kësaj strukture, mozaiku ishte i ekspozuar ndaj elementëve atmosferikë. Ndërsa mbrojtësja metalike, e kritikuar edhe nga specialistët e UNESCO-s për mënyrën e ngritjes së saj, gjatë dimrit u kthye në një makth për banorët e fshatit. Një pjesë e mirë e pllakave eternite janë shkëputur nga era e fortë dhe janë hedhur tej. Ndërsa ato që kanë mbetur të fiksuara në disa skaje të tyre, krijojnë një zhurmë të tmerrshme gjatë përplasjes së vazhdueshme në pjesët metalike. Lorenc Bejko, drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, shprehet se së shpejti do të fillojë një projekt për rehabilitimin e mozaikut. Ai do të jetë i ndarë në dy faza. Fillimisht do të bëhet heqja e strukturës metalike. Sipas Bejkos, ajo nuk ka përfshirë të gjitha ambientet e bazilikës, të cilat janë zbuluar rreth viteve ‘70. Për këtë, specialistët do të pastrojnë edhe njëherë gjithë territorin, jo vetëm atë që përfshin mozaikun. Ndërkohë që një fazë e dytë do të ketë të bëjë me përkujdesjen e veçantë të mozaikut. Sot ai është i pavizitueshëm. Gjithë hapësira në të cilën shtrihet, është e mbuluar me rërë. Ndonëse lakohet si një nga mozaikët e rëndësishëm, pjesë edhe e botimeve shkencore për arkeologjinë, vizitorët apo kureshtarët, qofshin shqiptarë apo të huaj, në gjendjen e sotme e kanë të pamundur për ta parë. Specialistët e monumenteve e kanë mbuluar me rërë për ta mbrojtur nga dëmtimet. Ndërkohë që vitin e fundit, përreth strukturës metalike është vënë një rrjet teli. Por gjithsesi, sërish kjo masë nuk i pengon bagëtitë që të kalojnë rrethimin. Ato janë një kërcënim më vete për këtë pasuri arkeologjike. Ndërkohë që gjatë këtyre viteve, herë është paguar dhe herë jo një person i fshatit për ta ruajtur. Bejko shprehet se pasi të kenë bërë fillimisht rehabilitimin e territorit, do të fillojnë edhe me zbulimin e mozaikut, në mënyrë që ai të jetë i vizitueshëm. “Synojmë që mozaiku i Linit të bëhet pjesë e pikave të vizitueshme arkeologjike të qytetit të Pogradecit, siç janë varret e Selcës. Është menduar që të ketë edhe një person që do të kujdeset vazhdimisht për të”, - shprehet Bejko. Ambasada Gjermane ka kontribuar sërish në këtë projekt të dytë, me qëllim që këtë herë ndërhyrja të jetë më serioze për ruajtjen e këtij mozaiku.
Mozaiku
Sondazhet për zbulimin e mozaikëve të Linit i takojnë vitit 1967, ndërsa gërmimi arkeologjik vazhdoi në vitin 1968 nën drejtimin e arkeologut Skënder Anamali. Mozaikët u zbuluan në kurrizin e Gadishullit të Linit, në kodrën e Shën Thanasit, e cila ndodhet në lartësinë 750 metra mbi nivelin e detit dhe 50 metra mbi nivelin e Liqenit të Ohrit. Nga fragmentet e enëve, qelqit dhe monedhave që u gjetën, rezultoi se mozaiku datonte në shek VI, në kohën e Justinianit. Ata janë pjesë e bazilikës, e cila në përbërje të vet ka 7 ambiente. Në qendër ndodhet salla kryesore, ku zhvilloheshin ceremonitë fetare, ku kishte dy vendkalime gjysmërrethore të shtruara me mozaikë. Në qendër ka kupën e Eukaristisë dhe anash ka degë dhe gjethe rrushi. Më pas, në qendër të sallës janë të vizatuar peshq bletë. Ndërkohë që salla para hyrjes ka një lule me katër petale, e vendosur midis katrorësh me gurë të zinj. Lulja është me gurë të kuq dhe rozë me kalime të buta deri në të bardhë. Në sallën kryesore është vizatuar një vazo e madhe me dy pallonj. Gurët e mozaikut formojnë figura, duke lëvizur sipas motiveve. Gurët e bardhë, të zinj, rozë dhe të kuq, të marrë nga zalli i liqenit, kanë një dimension prej 1 cm kub secili, ndërsa gurët e kaltër dhe të qelqtë janë përgatitur posaçërisht për këtë mozaik.
Nga: Balkanweb



















Komente
Ju pelqeu? Perse nuk shkruan dicka?