Loading...
Kliko ketu per video te tjera

Sarandë, punimet në rrugë shembin murin antik të Finiqit

6 Tetor, 2009 · Printo kete artikull

Shembet muri antik i Finiqit. Shkak janë bërë punimet nga një mjet tip cekic që po hap rrugën lidhëse mes kryqëzimit të fshatit Finiq me rrugën kryesore.
Ngjarja ka ndodhur përpara disa javësh por konstatimi është bërë vetëm pas një organizimit të një ekspeditë shqiptaro-greke. Muri antik 3 metra i lartë dhe 6 metra i gjerë, gjendet vetëm 30 metra nga vendi ku është punuar për rikonstruksionin e rrugës.
Muri antik i përket periudhës romake të ujësjellësit të Justianit i zbuluar nga arkeologu Italian Luigi Ugolini në vitet ’30. Ngjarja është zbuluar ditët e fundit gjatë punimeve të një ekspedite shqiptaro-greke, ndërsa mësohet se ka pak javë që ka ndodhur, por duket se është mbajtur e fshehtë nga autoritetet vendore.” Ky
është lajmi i fundit i botuar në BalkanWeb, i cili çuditërisht nuk gjendet në asnjë gazetë tjetër.

Muri romak, një nga shembujt e rrallë në teknikën “opus reticulatum” të mbetur kësaj ane të Ballkanit u mbijetoi furtunave të 18 shekujve dhe më në fund, në shekullin XXI, e prishi një fshatar që do të zgjeronte shtëpinë me paratë që kish vënë mënjanë nga kurbeti i Greqisë.

Një ngjarje e tillë duhet të trondiste nga themelet Ministrinë e Turizmit dhe Institutet e tjera të kulturës, arkeologjisë, si dhe të gjithë ata studiues privatë e shtetërorë (aq më keq që paguhen nga shteti), të cilët duhet të ishin vigjilentë ndaj episodeve të tilla, dhe ku duhej të kishte një mbikqyrës punimesh, duke qënë se ato zhvilloheshin në afërsi të monumentit antik.

Sjellin në mendje jo vetëm moskokëçarjen e strukturave shtetërore, duke kryer një krim arkeologjik të mirefilltë me fshehjen e ngjarjes (që duhet të hetohet nga prokuroria), por dhe atë injoranci dhe përçudnim të paparë që ditë pas dite kryhet ndaj pasurisë dhe historisë së popullit tonë. Rastet e ngritjes së pallateve apo banesave private mbi rrënoja antike ne Durrës, Tiranë, Vlorë, Sarandë, Shkodër, Elbasan e kudo në Shqipëri, plus rrënimit të monumenteve aktualë apo vjedhjes së tyre nga hajdutët, të lënë të kuptosh që në të vërtetë nuk ka asnjë përkujdesje ndaj vlerave arkeologjike e kulturore që ato mbartin, duke dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme një pasuri e cila për qëllime dritëshkurtëra dhe fitimprurëse, po pakësohet dita-ditës.

Do të ishte e udhës që përkrah zhvillimit të turizmit, aktiviteteve kulturore, të kishte një veprim më të fortë të ligjit ndaj personave të cilët në mënyrë sistematike kryejnë këto krime. Vendet fqinjë bëjnë enciklopedi fallco, kryejnë marrëveshje të errëta detare, sakatojnë historinë tonë të lashtë, duke kërkuar të anullojnë rrënjët tona, ndërkohë që vetë ne, me apo pa vetëdije (me ndihmën e shtetit), i finalizojmë këto veprime me injorancën dhe makabritetin që karakterizon grykësinë e disa individëve, dhe herë-herë dhe prirjen për vetëshkatërrim që disa shqiptarë kanëndaj vetvetes.

Shpresojmë që gjëra të tilla të mos ndodhin më, dhe përgjegjësit të dalin para ligjit.

Tell a Friend

Komente

Ju pelqeu? Perse nuk shkruan dicka?