Te eger me Ministrin?
24 Qershor, 2008 · Printo kete artikull
Duhet të tregosh dhëmbët për t’ia arritur qëllimit në Shqipëri?! Ose duhet të servilosesh deri në përçmimin të personalitetit për të marrë një grusht parash prej ministrisë. Në të dyja rastet kur troket në Ministrinë e Kulturës është e sigurt që ia del. Por në të tretin rast, kur mbushet një dosje e plotë mbi kapacitetin e një veprimtarie kulturore, që ka riskun e mospasjes së komercializmit, kur është ngritur një e shkuar e suksesshme me thonj, për shkak se ky vend gjithmonë të lë të varfër, dera me siguri të përplaset në fytyrë. Këtë kanë provuar organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Butrint, të cilëve iu është thënë përfundimisht “jo” në një mbështetje më të madhe financiare. Prej tetë vitesh, kjo ngjarje kulturore është e vetmja që nuk ka nevojë për apologji, por për një vështrim kurioz se si rregullisht nga Ministria e Kulturës, ka pasur njerëz që kanë dashur t’i vënë shkopinjtë, duke e çuar sa herë në prag dështimi.
Aq shumë është sosur ky fenomen me këtë festival sa duhet thënë prerë dhe qartazi, se është kryekëput xhelozi shqiptare. Ky festival është një markë e ideuar nga regjisori dhe aktori Alfred Bualoti, që ka Qendrën Mesdhetare të Teatrove.
Një licencë që i ka dhënë të drejtën që të aplikojë dhe të organizojë për veprimtari të fushës së teatrit. Kështu bëjnë të gjithë ata që kanë shoqata, fondacione, kompani teatrore në Shqipëri, e sidomos në Tiranë.
Dhe të gjitha që kanë një licencë të tillë, nuk kanë ku t’i gjejnë tjetër paratë veç të trokasin në Ministri të Kulturës. Në media Bualoti është shprehur se ministrisë çdo vit i kërkon të financojë vetëm gjysmë e buxhetit sa kushton realisht ky organizim, ndërkohë që merr prej saj vetëm 1/6 e buxhetit. Ndërsa nga ministria përgjigjja ka qenë arrogante, në mos jo fort e qartë se vendimi është marrë 100% prej Pangos, se tani ky festival duhet ta mbajë veten, pra të krijojë një arkë buxheti. Për këtë arsye fondet kanë zbritur në nivelin më të ulët që ka parë ndonjëherë ky festival i financuar vetëm 40% nga shteti. Një lajm i mirë për organizatorët ishte para disa vitesh, saktësisht pesë vite, kur u miratua ligji i sponsorizimit. Me këtë ligj të gjithë hapën sytë se artistët, apo menaxherët e artit do mund të mbështeteshin nga bizneset. Ose tani do të kuptonim së paku mekanizmin e mecenatit në kulturë. Por për organizatorët e festivalit ky ka qenë një flluskë sapuni. Rropatjet e tyre kanë qenë krejtësisht të dështuara, duke marrë më shumë ofeza dhe poshtërime nga biznesmenët, të cilët rregullisht hedhin para për aktivitete komerciale, spektakle. Nga ana tjetër ministria u mbylli derën aktiviteteve të tilla. Përgjigjja e bizneseve ka qenë gjithnjë se taksa që u ulej për financimin që mund të bënin në kulturë është krejt e papërfillshme, krejt pa interes për to, përballë reklamimit që mund të kishin me veprimtari si spektaklet e miss-eve, apo kur hidhnin para për këngëtarë të bujshëm që ftoheshin nga jashtë. Për rastin e fundit edhe vetë ministria këto dy vite ka preferuar të matet me bizneset, duke hedhur shuma të mëdha parash, të paimagjinueshme për të hamendësuar kur dora rrudhet për Festivalin e Butrintit.
Pra, është e thjeshtë arsyeja pse këta organizatorë modestë të një aktiviteti më të rëndësishëm në vend, qoftë për famë, kulturë, a turizëm, kanë mbetur duarthatë: sepse ata nuk bëjnë biznes, por përpiqen të ftojnë ca trupa teatrosh më të mirë, duke i joshur me Butrintit. Kjo ide e Bualotit duket se ka “joshur” dhe ligësinë e kolegëve të tij, që zhurmojnë veshët e Ministrit për ta dështuar këtë aktivitet, dhe në fund të dalë konkluzioni se nuk ia paskëshin futur kot.
Në Butrint shihet teatër i vërtetë. Në Butrint ka imazh për Shqipërinë, si turizëm dhe kulturë. Për artistët është i vetmi shans që iu ofrohet falas, për të parë se ç’po ndodh me teatrin e vjetër, pa i hipur avionit dhe pa mbajtur radhë për vizë.
Pango ka shansin të mos humbë kohë për t’iu dhënë mundësinë atyre që e duan vërtet teatrin, që të lozin teatër me të. Aq më keq, që ky nam mos të kalojë kufinjtë e Shqipërisë kur t’i thuhet me një fjali të thjeshtë, një prej regjisorëve më të mëdhenj të Ballkanit dhe në rang evropian, Aleksandër Morfovit, se shqiptarëve kështu ua ka qejfi - të dështojnë me sukses, duke refuzuar ardhjen e tij.
Ne kemi shumë afër fqinjët tanë, që organizojnë festivale të kësaj natyre, të cilat financohen nga shteti më një buxhet goxha të madh, të paimagjinueshëm dhe të krahasueshëm me atë të Butrintit.
Nga: Violeta Murati / Gazeta Standard






Komente
Ju pelqeu? Perse nuk shkruan dicka?