Voskopoja - Sikstina e Ballkanit
28 Korrik, 2008 · Printo kete artikull
Fshati i vogël i Shqipërisë së Juglindjes, Voskopoja, dikur qyteti më i rëndësishëm i Ballkanit, prej vitesh është vënë në qendër të vëmendjes së strukturave ndërkombëtare të trashëgimisë, sidomos për pasurinë kulturore të pesë kishave dhe një manastiri, për veprat madhështore të artit dhe të panjohura që ruhen brenda tyre, pikturat postbizantine. Ndërmjet këtyre ndërtesave, kisha e Shën Thanasit, e ndërtuar më 1724, është më mbresëlënësja e kthyer në qendër studimore verore për organizatën “Trashëgimi pa kufi”. Muret e saj, kupolat e saj janë të gjitha të pikturura nga Konstandin dhe Thanas Zografi, dy artistë të formuar në Malin Athos. Kjo është kryevepra e vëllezërve Zografi të cilët krijuan një stil të veçantë duke ndërthurur traditat bizantine dhe evropiane me ato të Perandorisë otomane dhe të botës islamike.
Pikërisht kësaj kishe dhe pikturat e saj murale i kushtohet “Sikstina e Ballkanit”, vepra që po i jepet lexuesit francez, botim i “Patrimoine sans Frontières” dhe Botimeve të artit Somogy. Vepra u prezantua më 22 korrik, në Palais du Luxembourg.
Shoqata “Trashëgimi pa kufi” u paraqit në Shqipëri më 1999 me qëllim ruajtjen dhe studimin e sitit të Voskopojës, që u regjistrua nga UNESCO si një nga 100 trashëgimitë botërore në rrezik. E vendosur në rrugën që lidhte Kostandinopojën me Venedikun, qyteti i Voskopojës kishte qenë një qendër e rëndësishme ekonomike, intelektuale dhe artistike e Ballkanit, në shekujt XVII-XVIII. Nga kjo e kaluar e lavdishme kanë mbetur vetëm gjashtë ndërtesa religjioze.
Pas restaurimit dhe angazhimit për ruajtjen e tyre, “Trashëgimi pa kufij” e të cilës nuk ka kaluar pa u kritikuar nga restauratorët shqiptarë, ndërmerr sot, në kuadrin e Programit Europaid i Komunitetit Evropian, në projekt për zhvillimin afatgjatë dhe integrimin e sitit të Voskopojës.
Botimi i “Sixtine des Balkans” kushtuar kryeveprave të artit ballkanik post-bizantin është në këtë kuadër.



















Komente
Ju pelqeu? Perse nuk shkruan dicka?